VLORË- Në Vlorë është ngritur alarmi për ujin e pijshëm, pas raportimit të rasteve që kanë përfunduar në urgjencë me simptoma helmimi. Fillimisht u raportua helmimi i fëmijëve në kopështin nr.10 të qytetit, ku dyshohej se ishte shkaktuar nga uji i kontaminuar. Më pas, u raportua shtimi i rasteve në rreth 65 persona, që përfshin të rritur e fëmijë.
Lidhur me situatën, ka reaguar edhe Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve për Rajonin e Vlorës, duke bërë me dije se analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike të kryera gjatë ditëve të fundit kanë rezultuar brenda normave të lejuara. Sipas UKRV-së, 22 kampionët e analizuar nuk kanë paraqitur probleme dhe parametrat janë në përputhje me standardet përkatëse.
Reagimi i plotë i UKRV:
Ujësjellës Kanalizimeve Rajoni Vlorë informon qytetarët dhe opinionin publik se nga analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike të kryera gjatë ditëve të fundit, rezultatet e përftuara kanë rezultuar brenda normave të përcaktuara, pa prani amoniaku dhe nitritesh.
Ky është një informacion i bazuar në të dhëna laboratorike konkrete te kryera nga Drejtoria e Shëndetit Publik, të cilat dëshmojnë se parametrat e analizuar në 22 kampionët e marrë janë në përputhje me standardet përkatëse.
Dëshirojmë të theksojmë se transparenca me qytetarët është thelbësore. Për këtë arsye, kontrollet dhe monitorimi i cilësisë së ujit vijon rregullisht, ndërsa çdo rezultat bëhet publik në mënyrë të qartë dhe të përgjegjshme.
UKRV mbetet i angazhuar për monitorimin e vazhdueshëm dhe informimin e qytetarëve në çdo fazë të këtij procesi.
Një ditë më parë, u raportua se sipas rezultateve të analizave të kryera në depozitën e ujit të kopshtit nr. 10, është evidentuar prani e ndotjes fekale, duke ngritur dyshime për një lidhje të mundshme më rastet e fëmijëve të paraqitur në spital. Mësohët së analizat e mostrave të marra nga dëpozita kanë konstatuar fillimisht prani të amoniakut dhë mungësë të klorit, ndërsa rëzultatet e fundit kanë evidentuar edhe ndotje fekale./ZËRI