TIRANË-Sot u mbajt mbledhja e Komisionit për Reformën Zgjedhore, por njejtë si në herët e tjera debatet mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste nuk munguan.
Bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi, në emër të PD-së, ka kërkuar që reforma të diskutohet tek adresimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Demokratët i mbetën qëndrimit se mbledhja nuk mund të vazhdojë pa rend dite të dakordësuar, ndërsa kanë vendosur veton pro rekomandimeve të ODIHR. PD propozon sistem proporcional kombëtar me lista 100% të hapura, teksa kërkohet që edhe listat e këshillit bashkiak të jenë 100% të hapura.
“Kërkoj zëvendësimin e saj me çështjen prioritare të rekomandimeve të ODIHR për ‘garantimin e fushës së barabartë të garës duke ndarë shtetin nga partia dhe ndalimin e abuzimit me pushtetin shtetëror në zgjedhje’. Kjo çështje është hapur për diskutim në Komision në muajt qershor-korrik dhe për të është organizuar nga Komisioni edhe një tryezë e madhe konsultimi me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile. Kjo çështje është prioritare për t’u përfunduar nga Komisioni para zgjedhjeve të 9 majit 2027″, tha Bylykbashi.
Përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri, deklaroi se bojkoti i opozitës po pengon punën e Komisionit, ndërsa u bëri thirrje demokratëve që të rikthehen në tryezën e diskutimeve për të gjetur dakordësi mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Nga ana tjetër, Oerd Bylykbashi ia ktheu se çështje prioritare duhet të ishin ndarja e shtetit nga partia dhe ndalimi i abuzimit me pushtetin.
Ndërkohë pa praninë e opozitës, nisi zyrtarisht faza e dytë e Reformës Administrativo-Territoriale. Komisioni i Posaçëm Parlamentar u konstituua këtë të hënë, ndërsa Partia Demokratike ka paralajmëruar bojkotimin e tij.
Në krye të komisionit është zgjedhur sërish deputeti socialist Arbjan Mazniku, i cili u bëri thirrje demokratëve që të caktojnë përfaqësuesit e tyre dhe të depozitojnë emrat në Kuvend, duke lënë të hapur mundësinë e përfshirjes së opozitës në punimet e komisionit. Kreu i komisionit u bëri ftesë edhe universiteteve, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë që të përfshihen në proces dhe të kontribuojnë me propozime për fazën e dytë të reformës.