TIRANË- Një ditë pas tensioneve të regjistruara në protestën e studentëve, ku pati kundërshti për praninë e demokratëve në tubim, kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar incidentet dhe përplasjet e ndodhura.
Gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, Berisha u pyet nëse PD duhet të zhvillojë protesta më vete dhe të mos i bashkohet tubimeve të studentëve. Por, në përgjigje, kreu i PD-së pretendoi se personat që provokuan incidentet ishin të paguar dhe nuk kishin lidhje me studentët. Sipas Berishës, mes tyre kishte persona të moshave 30 deri në 50 vjeç.
"Dhe mund t'ua them, por vetëm për hir të asaj që s'po më duket e drejtë se do ta marrin si një sulm të egër personal, por absolutisht ata ishin që të gjithë të paguar fort për të provokuar dhe për të krijuar incidente. Në qoftë se e vutë re, pikërisht aty ku u krijuan ato dy-tre, ndodheshin si për çudi mediat e qeverisë që t'i filmonin. Por ata edhe njëherë, nuk janë studentë. Ju i rishihni edhe njëherë videot. Janë persona që ka prej tyre dhe 40-50 vjeç, ka të tjerë 30 vjeçarë me radhë, kështu që s'kanë asgjë të përbashkët me studentët.", tha Berisha.
Në përfundim, Berisha theksoi dhe një herë dhe bëri thirrje për të dalë në mbështetje të studentëve: "Dhe unë ftoj edhe njëherë të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë qytetarët, t'i mbështesim studentët."
Protesta e djeshme, 7 tetor, nisi si një tubim përpara Ministrisë së Arsimit dhe u kthye në një protestë të shoqëruar me incidente. Protesta nisi në orën 14:00, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ndërsa paralelisht, Partia Demokratike pasi zhvilloi tubimin para Kryeministrisë, marshoi në mbështetje të studentëve për t'iu bashkuar protestës së tyre.
Por, ky episod nuk kaloi pa incidente. Disa studentë kundërshtuan praninë e mbështetësve të Partisë Demokratike dhe kërkuan largimin e tyre, teksa situata përëshkallëzoi me përplasje mes tyre. Më pas, pas këtyre epsidove të Ministria e Arsimit, protesta u zhvendos përpara Kryeministrisë. Aty u regjistruan sërish incidente, hedhje gurësh e molotovësh në drejtim të efektivëve, ndërsa këta të fundit u përgjigjën me autobotin e ujit duke i shpërndarë protestuesit. /ZËRI