Politikë

Zgjedhjet në PD-në e Korçës, pjesëmarrja sfidë për demokratët! Kaso: Shpopullimi ka ndikuar, mbi 4 800 emra në lista

Kaso tha se procesi ka nisur në orët e para të mëngjesit dhe deri në momentin e deklaratës së tij ishte zhvilluar pa incidente.

M.K.
Zgjedhjet në PD-në e Korçës, pjesëmarrja sfidë
ivi kaso

KORÇË-  Procesi i zgjedhjes së kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Korçë po zhvillohet mes shqetësimeve për pjesëmarrjen e votuesve. Deputeti dhe drejtuesi politik i PDsë për qarkun mIvi Kaso e konsideron largimin e popullsisë një nga faktorët kryesorë që ndikon në numrin e anëtarëve që marrin pjesë në votim.

Kaso tha se procesi ka nisur në orët e para të mëngjesit dhe deri në momentin e deklaratës së tij ishte zhvilluar pa incidente. Ai theksoi se janë adresuar edhe problematikat e listave të cilat kishin shoqëruar procesin e mëparshëm.

"Është një proces përgjithësisht i qetë siç keni mundur ta konstatoni. Procesi ka filluar në orët e para të mëngjesit. Parashikohet të vazhdojë deri në orën 18:00, në qoftë se nuk ka persona të tjerë që presin në radhë për të votuar. Përgjithësisht është zhvilluar i qetë pa problematika të ndryshme. Problematikat që kanë qenë në procese të kaluara, problematika e listave kryesisht duket sikur kësaj radhe janë të kaluara pasi kjo periudhë gjashtëmujore midis procesit i cili nuk arriti të përmbyllej përpara dhe procesit të sotëm ka shërbyer për të gjitha strukturat e partisë edhe për të verifikuar edhe njëherë anëtarësinë mbi të gjitha për të plotësuar listat me atë pjesë të anëtarësisë e cila nuk gjendej e pasqyruar edhe që ishte pak a shumë problematika e radhës së kaluar. Problematika të tjera nuk ka. Një sfidë ngelet gjithmonë në procese të tilla, ngelet pjesëmarrja, pjesëmarrja deri tani është e kënaqshme, sigurisht ka mundësi gjithmonë për më mirë. Nga informacionet që morëm ka kaluar 150 zgjedhës, nuk di të them numrin e saktë pasi kishte akoma persona që votonin. Pritet një pjesëmarrje pak a shumë e ngjashme me ato të proceseve të kaluara që janë përmbyllur, pavarësisht se procesi i fundit ka patur tre katër kandidatë, ky proces ka dy kandidatë”, tha Kaso.

Duke folur për numrin e anëtarëve dhe pjesëmarrjen, deputeti u ndal te shpopullimi i qarkut të Korçës, të cilin e cilësoi si një nga problematikat më të mëdha të zonës. Ai solli në vëmendje edhe procesin zgjedhor në Fier, ku sipas tij gara me pesë kandidatë ka nxitur një pjesëmarrje më të lartë.

“Atëherë sigurisht numri i plotë i anëtarësisë që i kalon 4.800 përfshin gjithë anëtarësinë e Partisë Demokratike që nga viti ‘91 pasi listat tona të votimit nuk mbajnë parasysh gjendjen faktike të personave, pra ndodhen në territorin e Shqipërisë, në territorin e degës apo nuk ndodhen. Listat janë bërë sa më të gjera ashtu siç e kemi sqaruar dhe në procesin e mëparshëm, në mënyrë që të gjithë demokratët që kanë dëshirë të votojnë ta kenë mundësinë që të votojnë. Neve kemi qenë të parët që si forcë politike kemi vënë gishtin mbi atë që është plaga e sotme e gjithë shoqërisë shqiptare, por edhe qarkut të Korçës në veçanti, që është qarku me shpopullimin më të madh në Republikën e Shqipërisë. Një pjesë janë larguar, por sigurisht garat kur le të themi sa më shumë kandidatura të kenë, për shembull një proces paralel po zhvillohet në qytetin e Fierit, në degën e Partisë Demokratike të Fierit dhe nga informacionet që kam atje pjesëmarrja është më e lartë për shkak edhe se garojnë pesë kandidatë dhe sigurisht kjo motivon mbështetësit e secilit për të votuar. Megjithatë, siç e thashë asnjëherë në këto raste krahasimi nuk bëhet me numrin total të anëtarësisë, por me ata që kanë votuar le të themi në proceset e ngjashme përpara kur pjesëmarrja ka qenë vërtet diçka midis 500 edhe 600 pjesëmarrës. Kemi besim që shifrat, të paktën me sa fola me strukturat të cilat janë angazhuar me njoftimin e personave, do u afrohen shifrave të proceseve të kaluara” vijoi ai.

Një tjetër çështje për të cilën u pyet Kaso ishte tërheqja e kandidatit Irvin Bode nga gara. Ai e cilësoi këtë vendim si një zgjedhje personale, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që vonesa gjashtëmujore në zhvillimin e procesit të ketë ndikuar në vendimmarrjen e tij.

"Unë besoj që të gjithë kandidatët që ishin në garë në procesin e kaluar, si dhe kandidatët që janë në garë në këtë proces, janë kandidatë të vlefshëm, janë demokratë me kontribute. Tërheqja, sigurisht, ashtu si dhe procesi i kandidimit, është një vullnet personal, është një ambicie politike, por le të themi që duhet parë edhe në kontekst, sepse ambicia politike gjithsesi duhet të konkretizohet edhe në një moment historik të caktuar. Ndoshta fakti që procesi mori kohë që të zhvillohej dhe të ripërsëritet, pra kjo periudhë gjashtëmujore, mund të ketë qenë një nga arsyet që ka ndikuar në tërheqjen e zotit Bode, i cili ngelet sigurisht një demokrat me vlera, anëtar i kryesisë aktuale të Partisë Demokratike dhe pjesë e rëndësishme e kontributit të Partisë Demokratike në Korçë” u shpreh Kaso.

Në fund deputeti foli edhe për angazhimin e strukturave të Partisë Demokratike në qendër për të garantuar mbarëvajtjen e procesit dhe për të shmangur përsëritjen e problematikave të mëparshme me listat e anëtarësisë.

"Unë këtë nuk di ta them, por di të them që ne bëmë më të mirën në mënyrë që të sqaronim çdo lloj problematike, të cilat, edhe në ethet e garës, nga problematika që në një moment të caktuar mund të zgjidhen me qetësi, në momentet e etheve të garës, sigurisht marrin tone më të ndezura. Prezenca jonë këtu e deputetëve, jo vetëm atyre në Korçë, por edhe imja si drejtues politik, e koordinatorit gjithashtu për qarkun, Besnik Dervishit, tregon që ka një vëmendje të posaçme nga Partia Demokratike në qendër në Tiranë që procesi të zhvillohet i qetë, të zhvillohet pa incidente. Dhe problematika kryesore që kishte qenë dhe problematikë në procesin e kaluar, ajo e listave, të merrte një zgjidhje sa më të gjerë; pra, edhe nga kjo, kemi dhe një listë gjithëpërfshirëse që arrin në numër total prej mbi 4.800 anëtarësh të partisë, një pjesë e mirë e tyre nuk janë më me banim në Korçë përfundoi Ivi Kaso.

MOS HUMB