TIRANË- Kryeministri i vendit Edi Rama ka njoftuar se shahu do të marrë më shumë mbështetje në shkollat shqiptare përmes një buxheti të veçantë që synon zgjerimin e kësaj disipline në sa më shumë institucione arsimore. Gjatë një takimi me shahistë në Federatën Shqiptare të Shahut, Rama e cilësoi lojën si një ushtrim të shëndetshëm për zhvillimin e mendjes, veçanërisht në kushtet e ekspozimit të fëmijëve ndaj rrjeteve sociale.
“Shahu në shkolla, për fëmijët, është sot më i rëndësishëm se asnjëherë tjetër. Për faktin se është një ushtrim shumë i shëndetshëm i mendjes, në kushtet kur mendja e fëmijëve tanë është e kërcënuar nga një furi e tërë të dhënash që hyjnë përmes celularëve, rrjeteve sociale, përmes një bote të re, që për fëmijët ka shumë më tepër rreziqe e dëme, sesa ka të mira. Ne e kemi nisur procesin për të zgjeruar lëvizjen sportive në shkolla duke futur disiplina të reja. Shahu është futur që vjet, por do i japim një vëmendje e buxhet të veçantë për ta shtrirë në sa më shumë shkolla"tha Rama.
Reagimi i Ramës në rrjetet sociale:
Shahu ka shtëpinë e tij
Një hap i rëndësishëm për komunitetin shahistik dhe një mbështetje e re për shahun në shkolla, me buxhet të dedikuar për ta shtrirë në sa më shumë shkolla të vendit
Më shumë shah, më shumë mendje të mprehta./ZËRI