Politikë

Hoxha në takimin Ministror të Nismës së Evropës Qendrore: Evropa nuk mund të jetë plotësisht e bashkuar pa rajonin tonë

Duke iu referuar zhvillimeve gjeopolitike dhe sfidave të sigurisë në Evropë, Hoxha theksoi se bashkëpunimi mes vendeve të rajonit është më i nevojshëm se kurrë dhe se integrimi evropian duhet të shoqërohet me forcimin e lidhjeve rajonale.

M.K.
Hoxha në takimin Ministror të Nismës së Evropës
Takimi ministror I Nismës së Evropës Qendrore

RUMANI- Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e pandashme e projektit evropian dhe afrimi i tij me Bashkimin Evropian kërkon më shumë se negociata anëtarësimi. Ky ishte mesazhi i ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha në takimin ministror të Nismës së Evropës Qendrore (CEI) të zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë.

Duke iu referuar zhvillimeve gjeopolitike dhe sfidave të sigurisë në Evropë, Hoxha theksoi se bashkëpunimi mes vendeve të rajonit është më i nevojshëm se kurrë dhe se integrimi evropian duhet të shoqërohet me forcimin e lidhjeve rajonale.

“Rajoni ynë nuk mund të bëhet plotësisht evropian nëse mbetemi të distancuar nga njëri-tjetri, dhe Evropa nuk mund të jetë plotësisht e bashkuar dhe e fortë për sa kohë rajoni ynë mbetet jashtë saj.

Pikërisht për këtë arsye, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian duhet të ecin krah për krah. Kur heqim barrierat tregtare, ndërlidhim sistemet tona energjetike dhe korridoret e transportit, njohim kualifikimet profesionale, forcojmë ndërlidhjen digjitale dhe bashkëpunojmë më ngushtë për sigurinë, nuk po ndërtojmë një alternativë ndaj Bashkimit Evropian. Po përgatisim rajonin tonë të funksionojë si pjesë e tij”, deklaroi Hoxha.

Ministri u ndal gjithashtu te rëndësia e afrimit mes shoqërive, duke theksuar se marrëdhëniet më të forta mes njerëzve dhe vendeve krijojnë besim forcojnë sigurinë dhe ndërtojnë partneritete të qëndrueshme.

“Shoqëri më të afërta krijojnë më shumë besim. Më shumë besim forcon sigurinë. Dhe lidhjet më të forta mes njerëzve e shndërrojnë afërsinë në partneritet. Në fund të fundit, një Ballkan Perëndimor më i ndërlidhur, më bashkëpunues dhe më i qëndrueshëm do të thotë një Evropë më e fortë. Kjo është Evropa që na duhet: më e ndërlidhur, më e sigurt, më e qëndrueshme dhe, në fund, e bashkuar në tërësinë e saj” përfundoi ministri Hoxha./ZËRI

MOS HUMB