TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes projektbuxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2027. Buxheti i parashikuar për Mbrojtjen është 76 miliardë lekë, ose 2.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Sipas ministrit, fondet synojnë zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, modernizimin e Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë në kuadër të NATO-s.
Gjatë fjalës së tij, ministri iu përgjigj edhe pyetjeve të opozitës lidhur me trafikun e armëve, duke i konsideruar 'filma' dhe 'spektakle emisionesh në darkë'. Ministri Nufi hodhi poshtë pretendimet duke kujtuar edhe një herë së Shqipëria është vend i NATO-s.
“Lidhur me akuzat për trafik dhe filma, unë as nuk merrem me filma as me spektakle emisionesh në darkë. Këto spektakle i bëjnë ato që i bëjnë, janë ëndrra. Me respekt që pata për një prej deputetëve të opozitës I bëra thirrje miqësore që mos ta bënte këtë punën e trafikut të armëve sepse do zhgënjehet shumë në fund të kësaj historike sepse i ka fryrë një retorike antikombëtare. Të bëhet republika e Shqipërisë trafik armësh është akuzë jashtëzakonisht e rëndë. Ato që marrin vesh nga trafiku e marrin vesh ndoshta. Di që jemi vend i NATO-s dhe jo vetëm që nuk bën ato ripaketimet që thuhet vërdallë, por ka marrë iniciativa ligjore dhe një prej tyre ka patur një amendim i një deputeti të opozitës që ka përmirësuar kuadrin ligjor dhe i jam mirënjohës sepse ka qenë ligj i votuar nga disa deputetë të opozitës, njerëz që e vlerësojnë vërtet sigurinë kombëtare, u dhemb flamuri i republikës dhe nuk e baltosin për hir të retorikës politike për të fituar ca pikë në media”, u shpreh ministri.