TIRANË-Në valën e protestave, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri thirrje për bashkimin e opozitës, duke ftuar edhe drejtuesit e forcave të reja politike, mes tyre Arlind Qorin, Agron Shehajn dhe Adriatik Lapajn. Berisha deklaroi se është i gatshëm të takohet me këdo që synon largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti, duke thënë se nuk ka paragjykime ndaj asnjë aktori politik opozitar.
"Unë shfrytëzoj sërish rastin dhe i ftoj që të bashkohemi. Bashkohem që nesër! Me cilindo që bashkohet, që të largojmë Ramën nga pushteti. Me cilindo njeri. Ne nuk ftojmë me paragjykime. Me të gjithë takohem, nuk kam asnjë lloj paragjykimi. Se çfarë më quajnë, rëndësi ka të largojmë të keqen më të madhe’, u shpreh Berisha në Euronews.
Por bashkimi duket larg, ku kryetarët e partive 'Mundësia', 'Lëvizja Bashkë' dhe 'Shqipëria Bëhet' kanë refuzuar ftesën e kryedemokratit Sali Berisha. Të ftuar në studion e “Të Paekspozuarit”, Adriatik Lapaj, Agron Shehaj dhe Arlind Qori shprehën kundërshtimin e tyre ndaj një bashkimi politik.
“Rama dhe Berisha duhet të tërhiqen nga skena politike, nuk kanë çfarë t’i japin Shqipërisë sot. Por nuk vendos dot shenjë barazimi mes Berishës dhe demokratëve”, deklaroi Lapaj.
“Kur na ftoi Berisha për të bërë koalicion në vitin 2025, nuk i thamë jo se nuk ishim mjaftueshëm atdhetarë, jo se kishim ndonjë ego. Por shumë thjesht nuk e pamë të arsyeshme dhe shyqyr Zotit nuk e bëmë një gjë të tillë”, u shpreh Shehaj.
“Edi Rama është pushtetari më i keq, por Berisha është sivëllau i tij. Berisha ka edhe një dozë të parrëfyeshme pafytyrësie”, deklaroi kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori.