SERBI-Pas fitores në zgjedhje, Lista Studentore në Serbi ka prezantuar një program të ri për ndryshimin e kushteve të punës dhe të drejtave sociale. Sipas planit, punonjësit do të punojnë 32 orë në javë, pa ulje të pagës.
Në paketën e masave përfshihen edhe përmirësime në të drejtat prindërore. Gratë e punësuara para shtatzënisë do të përfitonin pushimin e lehonisë pavarësisht llojit të kontratës, ndërsa për baballarët propozohet pushim tre-mujor pas lindjes së fëmijës. Për pushimin mjekësor gjatë 30 ditëve të para kërkohet kompensim prej të paktën 75% të pagës.
Programi synon gjithashtu të forcojë të drejtat e punonjësve jashtë orarit zyrtar, duke u njohur të drejtën për të mos iu përgjigjur kërkesave të punës pas përfundimit të ditës së punës. Masa të tjera lidhen me mbrojtjen e punëtorëve të angazhuar përmes platformave digjitale dhe agjencive të punësimit.
Një tjetër pjesë e propozimeve lidhet me rritjen e pagesave shtesë për punën në kushte të veçanta. Lista Studentore kërkon kompensim minimal prej 150% për punën gjatë festave zyrtare, 110% të dielave dhe 50% për punën gjatë natës ose jashtë orarit. Shtesa parashikohen edhe për punën me ndërrime dhe atë në terren.
Megjithatë, këto janë propozime të Listës Studentore dhe nuk përbëjnë ende ndryshime të miratuara ligjore. Për t'u zbatuar, ato do të kërkonin ndryshime në legjislacionin serb.