PRISHTINË- Vrasja e Arlinda Zekajt vijon të mbajë në rrugë qytetarët dhe aktivistet në Kosovë. Për të nëntën natë radhazi protestuesit janë mbledhur në Prishtinë, ku kanë bllokuar rrugën pranë komisariatit të policis duke kërkuar drejtësi për 31vjeçaren e vrarë më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Krahas kërkesës për drejtësi për Arlinda Zekajn protesta e kësaj nate ka pasur në fokus edhe përgjegjësinë e zyrtarëve që dyshohet se kanë pasur përfshirje në rast. Aktivistet kërkojnë që këta persona të hetohen dhe të ndiqen penalisht duke kërkuar që përgjegjësia të mos kufizohet vetëm te autori i dyshuar i vrasjes.
Për ngjarjen e rëndë dyshohet ish-kunati i viktimës Albert Sylaj, i cili u arrestua dy ditë pas vrasjes. Ndërkohë protestat vijojnë si një formë presioni publik për zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që mund të kenë përgjegjësi./ZËRI