foto ilustruese
TIRANË- Institucionet publike pritet t’i nënshtrohen një sistemi të unifikuar kontabiliteti, që synon të vendosë rregulla të përbashkëta për administrimin dhe raportimin e financave shtetërore. Projektligji 'Për kontabilitetin në sektorin publik' parashikon regjistrimin e detajuar të çdo pasurie, detyrimi, të ardhure dhe shpenzimi, duke kërkuar dokumentacion për çdo transaksion financiar.
Sipas projektligjit asnjë shpenzim nuk do të mund të pasqyrohet në kontabilitet pa dokumentet që e justifikojnë atë. Ndërkohë institucionet do të kenë detyrimin të regjistrojnë të gjitha pasuritë që disponojnë nga tokat dhe ndërtesat te automjetet dhe pajisjet duke siguruar përputhjen e të dhënave financiare me inventarin fizik.
Një tjetër kërkesë lidhet me gjurmueshmërinë e transaksioneve. Çdo lëvizje financiare duhet të dokumentohet dhe të përputhet me të dhënat e Thesarit të Shtetit me qëllim krijimin e një pasqyre të plotë të përdorimit të fondeve publike.
Projektligji përcakton gjithashtu detyrimin për ruajtjen e dokumentacionit financiar për një periudhë të paktën 10 vjeçare. Për sa i përket raportimit çdo institucion do të duhet të hartojë pasqyrat e veta financiare krahas pasqyrave të konsoliduara që përmbledhin të dhënat në nivel të sektorit publik.
Afatet e dorëzimit janë përcaktuar deri në fund të muajit shkurt për pasqyrat individuale dhe deri më 30 prill për ato të konsoliduara. Përgjegjësia për zbatimin dhe monitorimin e sistemit do t’i takojë Ministrisë së Financave.
P R O J E K T L I GJ
PËR
KONTABILITETIN NË SEKTORIN PUBLIK
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim krijimin e një sistemi të unifikuar, të besueshëm dhe transparent të kontabilitetit në sektorin publik, për të garantuar cilësinë e raportimit financiar, përgjegjshmërinë në administrimin e fondeve publike dhe harmonizimin me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar në sektorin publik.
Neni 2
Objekti
Ky ligj ka për objekt:
a) përcaktimin e kuadrit rregullator për kontabilitetin dhe raportimin financiar në sektorin publik në Republikën e Shqipërisë;
b) rregullimin e procesit të mbajtjes së kontabilitetit, hartimit, paraqitjes dhe publikimit të pasqyrave financiare vjetore, individuale dhe të konsoliduara nga njësitë e sektorit publik;
c) përcaktimin e strukturave përgjegjëse për mbajtjen e kontabilitetit, hartimin dhe paraqitjen e pasqyrave financiare, rolet dhe funksionet e tyre.
Neni 3
Fusha e zbatimit
1. Sektori publik, në kuptim të këtij ligji, përfshin të gjitha njësitë e sektorit publik, që kanë detyrimin të mbajnë kontabilitetin dhe të paraqesin pasqyra financiare, sipas këtij ligji. Ai përfshin njësitë e qeverisjes së përgjithshme, si më poshtë vijon:
a) Njësitë e qeverisjes qendrore, të cilat përfshijnë institucionet e pushtetit ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor, institucionet e pavarura, të krijuara me Kushtetutë ose me ligj, si dhe njësitë e kontrolluara prej tyre, që kanë si veprimtari parësore përmbushjen e funksioneve të qeverisjes qendrore;
b) Njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat përfshijnë njësitë e niveleve të ndryshme të qeverisjes vendore, si dhe njësitë e kontrolluara prej tyre, të krijuara me Kushtetutë ose me ligj, që kanë si veprimtari parësore përmbushjen e funksioneve të qeverisjes vendore;
c) Njësitë e fondeve speciale, të cilat përfshijnë njësitë e krijuara me ligj, si dhe njësitë e kontrolluara prej tyre, që ushtrojnë funksione të posaçme, në nivel qendror ose vendor.
2. Shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, si dhe çdo njësi tjetër që ushtron veprimtari tregtare, nuk janë të detyruara të mbajnë kontabilitet, sipas këtij ligji, por përfshihen në pasqyrat financiare të konsoliduara kur kontrollohen nga njësi publike, në përputhje me parimin e kontrollit, të përcaktuar në pikën 5, të nenit 4, të këtij ligji.
Neni 4
Përkufizime
Në zbatim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Aktiv”, një burim që aktualisht kontrollohet nga njësia, si rezultat i ngjarjeve të kaluara.
2. “Detyrim”, detyrimi aktual i njësisë për të transferuar burime, si rezultat i ngjarjeve të kaluara.
3. “Grup”, njësia raportuese e përbërë nga njësia kontrolluese dhe të gjitha njësitë e saj të kontrolluara, që paraqet pasqyrat financiare të konsoliduara si një njësi e vetme.
4. “Kontabiliteti në bazë të të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara”, metoda e kontabilitetit, sipas së cilës transaksionet dhe ngjarjet regjistrohen dhe paraqiten në çastin e ndodhjes së tyre, pavarësisht nga momenti i arkëtimit ose pagesës së shumave përkatëse.
5. “Kontroll apo parim i kontrollit”, një njësi kontrollon një njësi tjetër, kur ajo është e ekspozuar ose ka të drejta ndaj përfitimeve të ndryshueshme, që burojnë nga përfshirja e saj me njësinë tjetër, dhe ka aftësinë të ndikojë në natyrën ose shumën e këtyre përfitimeve përmes fuqisë së saj mbi njësinë tjetër. Fuqia përbëhet nga të drejtat ekzistuese, që i japin njësisë aftësinë aktuale për të drejtuar aktivitetet përkatëse të një njësie tjetër. Në këtë kontekst:
a) “Njësi e kontrolluar”, një njësi që kontrollohet nga një njësi tjetër;
b) “Njësi kontrolluese’’, një njësi që kontrollon një ose më shumë njësi të tjera.
6. “Njësi raportuese”, çdo njësi e sektorit publik, e përcaktuar në nenin 3, të këtij ligji, që ka detyrimin të mbajë kontabilitet dhe të hartojë pasqyra financiare vjetore, individuale dhe /ose të konsoliduara, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
7. “Parimet e kontabilitetit dhe raportimit financiar në sektorin publik”, parimet që përcaktojnë mënyrën e mbajtjes së kontabilitetit dhe të hartimit e paraqitjes së pasqyrave financiare në sektorin publik, të cilat përfshijnë standarde, udhëzime, manuale, plan llogarish, rregulla të hartuara në koherencë me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar në sektorin publik.
8. “Pasqyra financiare individuale”, pasqyrat financiare të përgatitura nga një njësi e veçantë raportuese, që paraqesin pozicionin financiar, performancën dhe flukset monetare të saj, pa përfshirë informacionin financiar të njësive të tjera që ajo mund të kontrollojë.
9. “Pasqyra financiare të konsoliduara”, pasqyrat financiare të një grupi, të paraqitura sikur të ishin një njësi e vetme.
10. “Politikat kontabël”, parimet, bazat, konventat, rregullat dhe praktikat e zbatuara nga një njësi raportuese në përgatitjen dhe paraqitjen e pasqyrave të saj financiare, me qëllim që këto pasqyra të jenë në përputhje me kuadrin rregullator të kontabilitetit të sektorit publik.
11. “Sistem kontabël”, tërësia e metodave, procedurave, burimeve dhe mjeteve në dispozicion, që përdoret nga një njësi raportuese për të identifikuar, për të njohur, për të matur, për të regjistruar, për të klasifikuar dhe për të paraqitur të dhënat financiare që lidhen me transaksionet dhe ngjarjet ekonomike, në përputhje me rregullat e kontabilitetit dhe nevojat e raportimit financiar.
12. “Standardet ndërkombëtare të kontabilitetit të sektorit publik” (SNKSP), standarde të hartuara dhe të publikuara nga Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik, që përcaktojnë parimet dhe kërkesat për raportimin financiar të qeverive dhe njësive të tjera publike.
13. “Shpenzimet”, uljet në pozicionin financiar neto të njësisë, përveç uljeve që rrjedhin nga shpërndarjet e fondeve neto.
14. Termat “nëpunës i parë autorizues”, “nëpunës autorizues”, “nëpunës zbatues” dhe “menaxher” kanë kuptimin e përcaktuar në ligjin nr.10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të ndryshuar. Çdo ndryshim i mëvonshëm në këtë ligj zbatohet automatikisht dhe për qëllimet e këtij ligji, përveç rasteve kur parashikohet shprehimisht ndryshe.
15. Termat “sistem i thesarit”, “Sistem Informatik Financiar i Qeverisë (SIFQ)” kanë kuptimin e përcaktuar në ligjin nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Çdo ndryshim i mëvonshëm në këtë ligj zbatohet automatikisht edhe për qëllimet e këtij ligji, përveç rasteve kur parashikohet shprehimisht ndryshe.
16. “Të ardhurat”, rritjet në pozicionin financiar neto të njësisë, përveç rritjeve që rrjedhin nga kontributet e fondeve neto.
17. “Vlera e drejtë”, çmimi që do të merrej për shitjen e një aktivi ose që do të paguhej për të transferuar një detyrim, në një transaksion të rregullt midis pjesëmarrësve të tregut në datën e matjes.
KREU II
RREGULLAT PËR NJOHJEN, MATJEN DHE REGJISTRIMIN KONTABËL
Neni 5
Parimet e përgjithshme të regjistrimit kontabël
1. Njësitë raportuese mbajnë regjistra kontabël të plotë, të saktë dhe të përditësuar, të cilët mbështesin informacionin e paraqitur në pasqyrat financiare dhe janë të gatshëm për procesin e konsolidimit financiar.
2. Regjistrimi i transaksioneve dhe ngjarjeve kryhet sipas metodës së të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara, në momentin e ndodhjes së tyre, pavarësisht nga arkëtimi ose pagesa e shumave përkatëse, referuar standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit të sektorit publik (SNKSP).
3. Regjistrimi kontabël kryhet në mënyrë kronologjike dhe sistematike, duke përdorur metodën e regjistrimit të dyfishtë.
Neni 6
Dokumentacioni justifikues dhe kontabël
1. Çdo regjistrim kontabël mbështetet në dokumentacion justifikues, i cili siguron që informacioni i regjistruar është i plotë, i saktë dhe i verifikueshëm, duke përfaqësuar me besnikëri veprimin financiar përkatës.
2. Dokumentacioni justifikues përfshin dokumente në formë shkresore ose elektronike, të cilat përshkruajnë me qartësi e saktësi natyrën, përmbajtjen dhe kontekstin e transaksionit.
3. Çdo dokument justifikues përmban të dhëna të identifikueshme, që sigurojnë gjurmueshmërinë dhe vlefshmërinë e tij kontabël, si origjina, natyra, data, vendi, objekti, sasia, vlera, identiteti i palëve të përfshira dhe çdo informacion tjetër që i jep dokumentit fuqi provuese.
4. Dokumenti kontabël është bartësi formal i regjistrimit kontabël, në formë shkresore ose elektronike, i cili pasqyron kronologjikisht dhe sistematikisht transaksionet financiare të njësisë publike, mbi bazën e dokumentacionit justifikues.
5. Kriteret e detajuara për përmbajtjen, formën, përdorimin dhe ruajtjen e dokumentacionit justifikues e kontabël miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
Neni 7
Gjuha dhe monedha e kontabilitetit
1. Regjistrat kontabël, librat kontabël dhe pasqyrat financiare mbahen dhe paraqiten në gjuhën shqipe.
2. Pasqyrat financiare përgatiten dhe paraqiten në monedhën zyrtare të Republikës së Shqipërisë.
Neni 8
Plani i llogarive kontabël
1. Ministri përgjegjës për financat miraton, me udhëzim, planin e llogarive kontabël dhe përditësimet e tij, i cili zbatohet detyrimisht nga të gjitha njësitë raportuese, të përcaktuara në këtë ligj.
2. Plani i llogarive kontabël:
a) strukturohet në mënyrë të tillë, që siguron regjistrimin e saktë të transaksioneve kontabël, sipas klasifikimeve funksionale, ekonomike dhe administrative;
b) është i harmonizuar me klasifikimin buxhetor dhe me kuadrin rregullator të kontabilitetit për sektorin publik;
c) përcakton përmbajtjen ekonomike dhe përdorimin e çdo llogarie, për qëllime të raportimit financiar e të konsolidimit.
3. Përdorimi i planit të llogarive kontabël është i detyrueshëm për të gjitha transaksionet kontabël të regjistruara në sistemet e kontabilitetit të njësive të sektorit publik, në përputhje me kriteret dhe rregullat e përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
Neni 9
Mbajtja e kontabilitetit dhe sistemi i informacionit financiar
1. Llogaritë dhe të dhënat kontabël mbahen manualisht ose nëpërmjet një sistemi të integruar të informacionit financiar, i cili duhet të sigurojë përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave me saktësi, integritet, siguri, gjurmueshmëri dhe aksesueshmëri, dhe të jetë i aftë të prodhojë të dhëna kontabël, libra kontabël dhe pasqyra financiare.
2. Kur llogaritë mbahen nëpërmjet sistemeve të kompjuterizuara, procedurat për përdorimin, funksionimin dhe sigurinë e këtyre sistemeve përcaktohen dhe dokumentohen në manualet përkatëse funksionale, teknike e të përdorimit. Sistemet duhet të garantojnë gjenerimin e informacionit të plotë e të saktë, si dhe mbrojtjen e tij nga ndërhyrjet e paautorizuara, për qëllime të raportimit financiar dhe auditimit.
3. Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë përdoret për kontabilitetin dhe raportimin e transaksioneve financiare të njësive publike, në përputhje me kriteret dhe rregullat e përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
4. Njësitë raportuese sigurojnë rakordimin periodik gjatë vitit dhe, në çdo rast, përpara hartimit dhe miratimit të pasqyrave financiare vjetore, të të dhënave të sistemeve të tyre të kontabilitetit me të dhënat e Sistemit Informatik Financiar të Qeverisë për transaksionet që administrohen në këtë sistem. Diferencat e konstatuara analizohen, dokumentohen dhe sistemohen përpara miratimit të pasqyrave financiare.
Neni 10
Arkivimi dhe ruajtja e dokumentacionit justifikues dhe kontabël
1. Njësitë raportuese janë të detyruara të ruajnë dokumentacionin justifikues e kontabël, në mënyrë që të garantohet integriteti, siguria, besueshmëria dhe aksesueshmëria e tij gjatë gjithë periudhës së ruajtjes.
2. Dokumentacioni ruhet në formë fizike dhe/ose elektronike.
3. Rregullat për ruajtjen e dokumentacionit financiar përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
4. Dokumentacioni ruhet për një periudhë jo më të shkurtër se 10 (dhjetë) vjet nga përfundimi i periudhës kontabël përkatëse, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në akte të tjera rregullatore në fuqi.
Neni 11
Periudha raportuese
1. Kohëzgjatja e periudhës raportuese është 12 (dymbëdhjetë) muaj.
2. Periudha raportuese fillon në datën 1 janar dhe përfundon në datën 31 dhjetor të vitit përkatës.
Neni 12
Njohja dhe matja e aktiveve dhe detyrimeve
1. Aktivet, detyrimet, të ardhurat dhe shpenzimet maten dhe regjistrohen në pasqyrat financiare në përputhje me bazat e matjes të përcaktuara në parimet e kontabilitetit dhe raportimit financiar të sektorit publik.
2. Zgjedhja e bazës së matjes kryhet duke marrë në konsideratë aftësinë e saj për të përmbushur qëllimin e raportimit dhe karakteristikat cilësore të informacionit financiar. E njëjta bazë matjeje mund të mos jetë e përshtatshme për matjen fillestare dhe matjen e mëpasshme.
3. Për aktive dhe detyrime të së njëjtës natyrë dhe kategori zbatohen baza dhe politika matjeje të njëjta, ndërsa kriteret specifike për zgjedhjen, zbatimin dhe ndryshimin e bazës së matjes përcaktohen në parimet e kontabilitetit dhe raportimit financiar të sektorit publik.
4. Matja individuale e aktiveve dhe detyrimeve zbatohet veçanërisht për përgatitjen e pasqyrës së pozicionit financiar fillestar në zbatim të këtij ligji.
5. Ministri përgjegjës për financat, me bashkëpropozimin e ministrit ose ministrave përgjegjës për fushën përkatëse, në varësi të natyrës, llojit dhe specifikave të aktiveve, përcakton, me udhëzim, rregullat për klasifikimin dhe vlerësimin e aktiveve afatgjata, kufijtë për përcaktimin e përqindjeve ose shumave të amortizimit, si dhe metodat e rivlerësimit dhe zhvlerësimit të tyre.
Neni 13
Inventarizimi i aktiveve dhe detyrimeve
1. Çdo njësi raportuese harton dhe mirëmban një regjistër të plotë e të saktë të aktiveve dhe detyrimeve të saj.
2. Njësitë raportuese janë të detyruara të kryejnë, të paktën një herë gjatë vitit raportues, inventarizimin e aktiveve dhe detyrimeve, për të kontrolluar ekzistencën, vlerësimin dhe përputhjen e tyre me të dhënat kontabël.
3. Diferencat e konstatuara gjatë inventarizimit analizohen, dokumentohen dhe pasqyrohen në regjistrat kontabël dhe në pasqyrat financiare, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Procesi i inventarizimit dokumentohet në mënyrë të plotë, të saktë dhe të verifikueshme. Regjistri i aktiveve rakordohet periodikisht me regjistrat kontabël dhe, sipas natyrës së aktivit, me regjistrat publikë, dokumentacionin juridik të pronësisë, administrimit ose kontrollit dhe burimet e tjera zyrtare, që vërtetojnë ekzistencën dhe të drejtat e njësisë mbi aktivin. Mospërputhjet e konstatuara analizohen, dokumentohen dhe sistemohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
4. Organi drejtues i njësisë raportuese mban përgjegjësi për procedurat e ndjekura për inventarizimin, duke siguruar që elementet e aktiveve dhe detyrimeve të paraqiten me vërtetësi e besueshmëri në pasqyrat financiare.
5. Procedurat dhe metodologjia e hollësishme për inventarizimin përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
KREU III
PASQYRAT FINANCIARE DHE KONSOLIDIMI
Neni 14
Qëllimi i pasqyrave financiare
1. Pasqyrat financiare hartohen dhe paraqiten në mënyrë të qartë, në përputhje me këtë ligj dhe parimet e kontabilitetit dhe raportimit financiar në sektorin publik. Ato duhet të paraqesin me vërtetësi dhe besueshmëri pozicionin financiar, performancën financiare, ndryshimet në aktivet neto të kapitalit dhe flukset e mjeteve monetare të njësive raportuese të sektorit publik.
2. Pasqyrat financiare, sipas këtij ligji, përfshijnë pasqyrat financiare individuale dhe pasqyrat financiare të konsoliduara të njësive publike.
Neni 15
Përbërësit e pasqyrave financiare
1. Njësitë raportuese hartojnë dhe paraqesin pasqyra financiare me qëllim të përgjithshëm (PFQP), të cilat përmbajnë, si minimum:
a) pasqyrën e pozicionit financiar;
b) pasqyrën e performancës financiare;
c) pasqyrën e ndryshimeve në aktivet neto;
ç) pasqyrën e flukseve monetare;
d) pasqyrën e krahasimit buxhetor, kur është e zbatueshme;
dh) shënimet shpjeguese, përfshirë përmbledhjen e politikave kontabël dhe informacione të tjera sqaruese.
2. Ministri përgjegjës për financat, me udhëzim, përcakton:
a) formatin dhe përmbajtjen e detajuar të pasqyrave financiare;
b) raportet financiare shtesë, që duhet të paraqiten nga kategori të caktuara të njësive raportuese.
3. Njësitë e kontrolluara mund të përjashtohen nga raportimi financiar vetëm kur plotësojnë të paktën një nga kriteret e mëposhtme:
a) Janë njësi të vogla me ndikim të kufizuar në pasqyrën financiare të sektorit publik, sipas pragjeve të përcaktuara për vlerën e aktiveve, të ardhurat vjetore ose numrin e punonjësve;
b) Janë struktura të përkohshme, të ngritura për qëllime projektesh specifike, me kohëzgjatje të kufizuar;
c) Financohen dhe menaxhohen tërësisht nga një njësi tjetër raportuese, që i përfshin në raportimin financiar të konsoliduar;
ç) Ushtrojnë vetëm funksione mbështetëse pa administrim të drejtpërdrejtë të fondeve publike;
d) Janë njësi të kontrolluara të nivelit të tretë ose më të ulët. Në këtë rast, ato përgatisin vetëm një pasqyrë të shkurtuar të pozicionit financiar, një pasqyrë të performancës për transaksionet buxhetore, një pasqyrë të flukseve monetare të rakorduar me sistemin e thesarit, si dhe shënime shpjeguese të shkurtuara. Pjesa tjetër e operacioneve konsolidohet në njësinë mëmë.
4. Për rastet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim rastet, kriteret dhe procedurat kur njësitë e kontrolluara mund të përjashtohen, tërësisht ose pjesërisht, nga detyrimi për raportim financiar.
Neni 16
Përgatitja dhe miratimi i pasqyrave financiare
1. Pasqyrat financiare përgatiten nga nëpunësi zbatues dhe miratohen nga nëpunësi autorizues i njësisë raportuese.
2. Pasqyrat financiare individuale dorëzohen te njësia kontrolluese dhe në degët përkatëse të thesarit. Pasqyrat financiare të konsoliduara dorëzohen në ministrinë përgjegjëse për financat, brenda afateve të përcaktuara në nenin 18, të këtij ligji.
Neni 17
Publikimi i pasqyrave financiare
1. Pas miratimit, çdo njësi raportuese publikon pasqyrat financiare vjetore individuale dhe/ose të konsoliduara të shoqëruara, sipas rastit, me raportin përkatës të auditimit, sipas legjislacionit që rregullon fushën e auditimit të jashtëm në sektorin publik. Raporti i auditimit publikohet së bashku me pasqyrat financiare kur auditimi ka përfunduar brenda afatit të publikimit. Kur auditimi përfundon pas publikimit të pasqyrave financiare, raporti i auditimit publikohet veçmas pas përfundimit të tij.
2. Publikimi bëhet në faqen zyrtare të njësisë raportuese, jo më vonë se 6 muaj nga data e raportimit.
3. Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim kriteret dhe afatet për mënyrën e publikimit të pasqyrave financiare vjetore dhe dokumentet shoqëruese.
Neni 18
Konsolidimi i pasqyrave financiare
1. Konsolidimi i pasqyrave financiare është përgatitja e një seti të vetëm pasqyrash financiare, që paraqet si një njësi e vetme aktivet, detyrimet, të ardhurat dhe shpenzimet e njësive raportuese të sektorit publik, që përfshihen brenda fushës së konsolidimit.
2. Pasqyrat financiare të konsoliduara të një njësie publike përfshijnë:
a) organin qendror të njësisë, i konsideruar si njësi kontrolluese;
b) të gjitha njësitë e kontrolluara nga njësia raportuese konsoliduese, pavarësisht formës së tyre juridike, sipas përkufizimit të dhënë në pikën 5, të nenit 4, të këtij ligji, dhe kritereve të kontrollit, të përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
3. Një njësi publike mund të ketë dy nivele konsolidimi të pasqyrave financiare, kur ekzistojnë disa nivele të njësive të kontrolluara.
4. Pasqyrat financiare individuale dorëzohen brenda muajit shkurt, ndërsa pasqyrat financiare të konsoliduara dorëzohen brenda datës 30 prill të vitit financiar pasardhës.
Neni 19
Përgatitja e pasqyrave financiare të konsoliduara të qeverisjes qendrore
1. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat, miraton, brenda datës 30 qershor të vitit pasardhës, pasqyrat financiare të konsoliduara të qeverisjes qendrore, të përgatitura nga ministria përgjegjëse për financat, në përputhje me parimet e kontabilitetit dhe raportimit financiar në sektorin publik dhe udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat, të miratuar sipas nenit 20, të këtij ligji.
2. Pasqyrat financiare të konsoliduara të qeverisjes qendrore përmbajnë:
a) pasqyrën e pozicionit financiar;
b) pasqyrën e performancës financiare;
c) pasqyrën e ndryshimeve në aktivet neto;
ç) pasqyrën e flukseve monetare;
d) shënimet shpjeguese mbi bazat dhe përbërjen e informacionit financiar të konsoliduar.
Pasqyrat financiare të konsoliduara mund të shoqërohen, sipas rastit, me tregues analitikë dhe tabela përmbledhëse të krahasimit ndër vite.
Neni 20
Procedurat, formati dhe përgjegjësitë për konsolidimin
1. Çdo njësi raportuese dorëzon të dhënat e nevojshme për konsolidim, në përputhje me formatin dhe strukturën e përcaktuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat, duke respektuar planin kontabël të llogarive dhe kërkesat e tjera për raportim financiar.
2. Ministri përgjegjës për financat miraton me udhëzim kuadrin rregullator për konsolidimin e informacionit financiar, i cili përfshin:
a) kriteret për përfshirjen ose përjashtimin e njësive në konsolidim, bazuar në parimin e kontrollit;
b) metodat për eliminimin e transaksioneve, si dhe llogaritë kontabël përkatëse, balancat e të cilave duhet të eliminohen ndërmjet njësive të konsoliduara;
c) mënyrën e trajtimit kontabël të pjesëmarrjeve në njësi të përbashkëta apo të lidhura;
ç) rregullat për thjeshtimin e konsolidimit në struktura me disa nivele kontrolli;
d) formatin, përmbajtjen dhe procedurat për realizimin e konsolidimit;
dh) afatet dhe procedurat për përgatitjen, dorëzimin dhe kontrollin e të dhënave.
3. Nëpunësi autorizues i çdo njësie raportuese garanton saktësinë, përputhshmërinë dhe integritetin e informacionit të raportuar për qëllime konsolidimi. Mospërmbushja e këtyre detyrimeve përbën shkelje disiplinore dhe trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për nëpunësin civil, legjislacionin për menaxhimin e sistemit buxhetor, si dhe legjislacionin për menaxhimin financiar dhe kontrollin.
4. Për njësitë e kontrolluara, që mbajnë kontabilitetin dhe përgatisin pasqyrat financiare, sipas një kuadri tjetër raportimi financiar, informacioni financiar për qëllime konsolidimi harmonizohet me parimet e kontabilitetit dhe raportimit financiar në sektorin publik. Procedurat për përshtatjen e të dhënave financiare përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
KREU IV
STRUKTURAT DHE PËRGJEGJËSITË INSTITUCIONALE
Neni 21
Sistemi i kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm financiar
1. Çdo njësi raportuese vendos e zbaton sisteme të përshtatshme dhe të qëndrueshme të kontrollit të brendshëm financiar, në përputhje me legjislacionin në fuqi, të cilat garantojnë autorizimin, dokumentimin, regjistrimin dhe raportimin e saktë të transaksioneve, si dhe përdorimin efektiv, efikas dhe të ligjshëm të fondeve publike.
2. Pasqyrat financiare të konsoliduara, të përgatitura në përputhje me këtë ligj dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, i nënshtrohen auditimit të jashtëm vjetor, ndërsa njësitë raportuese detyrohen të sigurojnë akses të plotë për organin kompetent që ushtron auditimin e jashtëm, sipas legjislacionit në fuqi në dokumentacionin financiar, sistemet e informacionit dhe personelin përgjegjës, në mbështetje të misionit të auditimit.
Neni 22
Funksionet dhe përgjegjësitë në proceset financiare
1. Funksionet financiare dhe mbajtja e kontabilitetit në njësitë publike ushtrohen në përputhje me këtë ligj, me parimet e kontabilitetit dhe raportimit financiar në sektorin publik dhe legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin, duke siguruar përdorimin e ligjshëm, efikas, efektiv e të qëndrueshëm të burimeve publike, si dhe paraqitjen me besnikëri të informacionit financiar.
2. Nëpunësi autorizues, në cilësinë e koordinatorit të menaxhimit financiar dhe kontrollit, është përgjegjës për:
a) miratimin e angazhimeve dhe shpenzimeve buxhetore, në përputhje me buxhetin e miratuar dhe legjislacionin në fuqi;
b) krijimin dhe mbikëqyrjen e funksionimit të një sistemi efektiv të kontabilitetit dhe të raportimit financiar në njësinë publike dhe në njësitë e kontrolluara;
c) sigurimin e ndarjes së përshtatshme të detyrave dhe burimeve njerëzore në funksion të kontrollit të brendshëm financiar dhe integritetit të procesit për mbajtjen e kontabilitetit;
ç) vendosjen e masave për mbrojtjen e aktiveve dhe dokumentacionit financiar nga humbja, vjedhja, keqpërdorimi ose përdorimi i paautorizuar;
d) njoftimin në kohë të sistemit të thesarit për çdo njësi të re të përfshirë në njësinë që kontrollon, duke bashkëlidhur aktin e themelimit;
dh) nënshkrimin e pasqyrave financiare, të cilat duhet të jenë të plota e të përfshijnë të gjitha njësitë e kontrolluara, duke pasqyruar me besnikëri pozicionin financiar dhe rezultatet e njësisë publike.
3. Nëpunësi zbatues është përgjegjës për:
a) mbajtjen e sistemit të kontabilitetit, raportimit për vendimmarrjen, në funksion të realizimit të objektivave, kontabilizimin e plotë, të saktë e në kohë të të gjitha transaksioneve financiare, referuar parimeve të kontabilitetit dhe raportimit financiar të sektorit publik;
b) dokumentimin e të gjitha transaksioneve financiare e të tjera, si dhe garantimin e gjurmës së auditimit për të gjitha proceset që ndodhin në njësinë publike;
c) dhënien e opinionit të shkruar nëpunësit autorizues dhe titullarit të njësisë publike lidhur me pajtueshmërinë e klasifikimit të shpenzimeve në projektbuxhet me parimet e kontabilitetit dhe raportimit financiar të sektorit publik, përpara miratimit të tij;
ç) zbatimin e procedurave kontabël, në mënyrë që të sigurohet ndarja e përshtatshme e detyrave dhe kontrolli i brendshëm për funksionin e kontabilitetit;
d) mbështetjen dhe mbikëqyrjen e personelit financiar në njësitë e kontrolluara;
dh) përgatitjen dhe nënshkrimin e pasqyrave financiare të njësisë publike ose të grupit, sipas rastit, duke garantuar përputhshmërinë me këtë ligj dhe parimet e kontabilitetit e të raportimit financiar të sektorit publik.
Neni 23
Përgjegjësitë e njësisë raportuese
1. Njësia raportuese është përgjegjëse për:
a) mbajtjen e llogarive kontabël, sipas parimeve dhe metodave të përcaktuara në këtë ligj;
b) hartimin me saktësi, në kohë dhe në formatin e kërkuar të pasqyrave financiare;
c) dorëzimin e pasqyrave financiare dhe të informacionit plotësues pranë ministrisë përgjegjëse për financat, brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj;
ç) bashkëpunimin e plotë me autoritetet përgjegjëse për konsolidimin e pasqyrave financiare;
d) ruajtjen dhe arkivimin e dokumentacionit justifikues e kontabël, sipas kërkesave ligjore.
2. Njësitë e sektorit publik, që kanë njësi varësie ose njësi të kontrolluara, janë përgjegjëse për mbledhjen, verifikimin dhe konsolidimin e informacionit financiar të këtyre njësive dhe përfshirjen e tij në raportimet e tyre, në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe aktet nënligjore, në zbatim të tij.
Neni 24
Ndarja e detyrave dhe kontrolli i brendshëm në funksionet financiare dhe kontabilitetit
1. Njësia raportuese organizon funksionet financiare e të kontabilitetit, duke respektuar parimin e ndarjes së detyrave dhe kontrollit të dyfishtë, në përputhje me legjislacionin për menaxhimin financiar dhe kontrollin.
2. Organizimi i këtyre funksioneve siguron që asnjë person i vetëm të mos ketë kontroll të plotë mbi një transaksion financiar, duke garantuar ndarje të qartë ndërmjet funksioneve të autorizimit, ekzekutimit, kontabilizimit dhe raportimit.
3. Njësitë kontrolluese duhet të ushtrojnë funksion mbikëqyrës ndaj të gjitha njësive të kontrolluara lidhur me administrimin e rrezikut, monitorimin e pajtueshmërisë dhe përgatitjes së pasqyrave financiare individuale.
Neni 25
Roli i ministrisë përgjegjëse për financat
1. Ministria përgjegjëse për financat është autoriteti kompetent për hartimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e politikave të kontabilitetit publik.
2. Në ushtrimin e këtij funksioni, ministria përgjegjëse për financat ka këto kompetenca kryesore:
a) Harton parimet e kontabilitetit dhe raportimit financiar në sektorin publik, si dhe udhëzimet metodologjike, në zbatim të këtij ligji, të cilat miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat, dhe publikohen nga ministria përgjegjëse për financat;
b) Administron, përditëson dhe publikon planin e llogarive të kontabilitetit publik;
c) Siguron strukturën dhe përmbajtjen e unifikuar të pasqyrave financiare, për të mundësuar krahasueshmërinë, verifikueshmërinë dhe konsolidimin në të gjithë sektorin publik;
ç) Organizon asistencën teknike dhe programet e trajnimit për stafin financiar e kontabël të njësive publike.
3. Ministria përgjegjëse për financat ka përgjegjësinë për zhvillimin dhe zbatimin e standardeve të kontabilitetit publik përmes funksioneve të specializuara, si:
a) hartimin, përditësimin dhe interpretimin e parimeve të kontabilitetit dhe raportimit financiar në sektorin publik, referuar standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit publik;
b) përgatitjen dhe përditësimin e udhëzimeve metodologjike për zbatimin e parimeve të kontabilitetit dhe raportimit financiar në sektorin publik për hartimin e pasqyrave financiare;
c) identifikimin e nevojave për zhvillim profesional, si dhe ofrimin e trajnimeve të vazhdueshme dhe ndihmës teknike për kontabilistët e njësive publike e të sistemit të thesarit;
ç) mbikëqyrjen e përputhshmërisë së praktikave kontabël me kërkesat e këtij ligji dhe propozimin e masave për përmirësim ose korrigjim pranë ministrit përgjegjës për financat.
4. Ministria përgjegjëse për financat mbështet zbatimin e kontabilitetit publik përmes funksioneve, si më poshtë vijon:
a) Krijimit dhe mirëmbajtjes së regjistrit të njësive publike, subjekt konsolidimi, sipas kërkesave të nenit 20, të këtij ligji;
b) Administrimit funksional të Sistemit Informatik Financiar të Qeverisë (SIFQ);
c) Menaxhimit të likuiditeteve, ekzekutimit të pagesave e të arkëtimeve në emër të njësive publike, si dhe kontrollimit të angazhimeve e të kontrolleve paraprake të pagesave;
ç) Sigurimit të raportimeve periodike dhe vjetore për njësitë që operojnë përmes sistemit të thesarit;
d) Ofrimit të asistencës në nivel vendor nëpërmjet zyrave të thesarit;
dh) Ofrimit të shërbimeve shtesë të kontabilitetit për transaksionet financiare, të përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat, për proceset e punës lidhur me regjistrimin në kontabilitet dhe hartimin e pasqyrave financiare, për njësitë që nuk kanë akses të drejtpërdrejtë në SIFQ;
e) Kryerjes së kontrollit formal të cilësisë së pasqyrave financiare, të paraqitura nga njësitë publike, që operojnë nëpërmjet sistemit të thesarit, me fokus në pajtueshmërinë e llogarive dhe në konsistencën ndërkohore për qëllime konsolidimi;
ë) Mbështetjes së procesit të konsolidimit të pasqyrave financiare të sektorit publik.
5. Çështjet me karakter këshillimor në fushën e kontabilitetit dhe raportimit financiar në sektorin publik shqyrtohen nga Bordi i Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik (KBFP), në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin.
KREU V
MBIKËQYRJA, SHKELJET DHE MASAT
Neni 26
Mbikëqyrja institucionale
Ministria përgjegjëse për financat mbikëqyr zbatimin e këtij ligji dhe të akteve nënligjore, të nxjerra në zbatim të tij, nëpërmjet monitorimit të përputhshmërisë së praktikave kontabël të njësive publike me parimet e kontabilitetit dhe raportimit financiar në sektorin publik.
Neni 27
Shkeljet dhe masat përkatëse
1. Mosrespektimi i dispozitave të këtij ligji ose i akteve nënligjore, të nxjerra në zbatim të tij, sjell përgjegjësi administrative, disiplinore ose penale, sipas rastit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Përgjegjësia për shkeljet e dispozitave të këtij ligji përcaktohet në varësi të detyrave dhe përgjegjësive funksionale të nëpunësve dhe punonjësve të njësive të sektorit publik, të ngarkuar me menaxhimin, regjistrimin dhe raportimin financiar, përfshirë nëpunësin autorizues dhe nëpunësin zbatues, sipas rastit.
3. Përbëjnë kundërvajtje administrative, kur nuk përbëjnë vepër penale, shkeljet e mëposhtme:
a) Moskryerja e inventarizimit të aktiveve dhe detyrimeve ose mosndjekja e procedurave përkatëse të inventarizimit, sipas nenit 13, të këtij ligji, nga personi përgjegjës për përmbushjen e këtij detyrimi;
b) Kryerja nga nëpunësi zbatues e regjistrimeve në kontabilitet pa dokumentacionin justifikues përkatës, në kundërshtim me kërkesat e nenit 6, të këtij ligji;
c) Mospërmbushja nga nëpunësi autorizues dhe/ose nëpunësi zbatues, sipas përgjegjësive përkatëse, e detyrimeve për përgatitjen, miratimin dhe dorëzimin e pasqyrave financiare individuale e të konsoliduara, sipas neneve 16 dhe 18, të këtij ligji.
4. Kundërvajtjet administrative, të parashikuara në pikën 3, të këtij neni, dënohen me gjobë, në masën nga një deri në tri paga mujore të personit përgjegjës. Në përcaktimin e masës së gjobës merren në konsideratë natyra dhe rëndësia e shkeljes, niveli i përgjegjësisë, përsëritja e shkeljes dhe pasojat e shkaktuara.
5. Konstatimi dhe shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative, vendosja dhe ekzekutimi i gjobave, si dhe ankimi ndaj vendimit për kundërvajtjen administrative bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative, duke respektuar kompetencat dhe pavarësinë e organeve kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, sipas legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e tyre.
6. Kur gjatë zbatimit të këtij ligji konstatohen fakte ose rrethana që mund të përbëjnë vepër penale, ato u referohen organeve kompetente për ndjekje penale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
7. Në rast të konstatimit të shkeljeve të dispozitave të këtij ligji ose të akteve nënligjore, të nxjerra në zbatim të tij, ministria përgjegjëse për financat njofton organet kompetente, sipas fushës së përgjegjësisë së tyre, për vijimin e procedurave përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 28
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet ministri përgjegjës për financat që, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të pikës 5, të nenit 6, pikave 1 dhe 3, të nenit 8, pikës 3, të nenit 9, pikës 3, të nenit 10, pikës 5, të nenit 12, pikës 5, të nenit 13, pikave 2 dhe 4, të nenit 15, pikës 3, të nenit 17, pikës 2, të nenit 18, pikave 1, 2 dhe 4, të nenit 20, dhe shkronjës “dh”, të pikës 4, të nenit 25, të këtij ligji.
2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktin nënligjor, të parashikuar në pikën 2, të nenit 29, të këtij ligji, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat.
Neni 29
Dispozitat kalimtare
1. Dispozitat e këtij ligji për raportimin financiar mbi bazën e të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara zbatohen në mënyrë të fazuar, brenda një periudhe tranzitore, që nuk mund të zgjasë më shumë se 3 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat, miraton, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Planin Kombëtar të Tranzicionit të Kontabilitetit të Sektorit Publik drejt Kontabilitetit mbi Bazën e të Drejtave dhe Detyrimeve të Konstatuara, i cili përcakton fazat e zbatimit e të raportimit, afatet dhe fazimin, sipas niveleve të qeverisjes dhe kategorive të njësive publike.
Në kuadër të këtij plani:
a) lejohet përdorimi i përkohshëm i kontabilitetit me bazë monetare për elemente të caktuara, sipas përcaktimeve të ministrisë përgjegjëse për financat;
b) kryhet identifikimi, vlerësimi dhe regjistrimi fillestar i aktiveve, detyrimeve të mundshme dhe angazhimeve të tjera, që nuk janë të përfshira ende në sistemin ekzistues kontabël;
c) realizohet trajnimi i personelit të financës, si dhe përshtatja e sistemeve të informacionit, që disponojnë njësitë publike, për të mundësuar regjistrimet kontabël mbi bazën e të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara.
3. Ministria përgjegjëse për financat është përgjegjëse për hartimin e Planit Kombëtar të Tranzicionit, koordinimin dhe monitorimin e zbatimit të tij, si dhe raportimin periodik pranë Këshillit të Ministrave për ecurinë e zbatimit të tij. Njësitë publike raportojnë periodikisht pranë ministrisë përgjegjëse për financat për progresin e zbatimit të planit.
4. Aktet nënligjore ekzistuese, që rregullojnë fushën e kontabilitetit në sektorin publik, për aq sa nuk bien në kundërshtim me këtë ligj, vazhdojnë të zbatohen deri në miratimin e akteve të reja nënligjore, në zbatim të këtij ligji.
Neni 30
Shfuqizimet
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, neni 61, i ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shfuqizohet.
Neni 31
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 12 muaj pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI./ZËRI