TIRANË- 41-vjeçari Arnold Jaho është ekstraduar nga Barcelona drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas njoftimit, Jaho është dënuar me 7 vite burg në dy vendime të Gjykatës së Tiranës për mashtrim, pastrim parash dhe fshehje të ardhurash.
Në vitin 2025, Prokuroria e Tiranës lëshoi ndaj tij një urdhër ndalimi për veprat penale për heqje të paligjshme të lirisë dhe armëmbajtje pa leje. Bëhet fjalë për rastin e pengmarrjes së 21-vjeçares në zonën e Astirit, ku Arnold Jaho ishte një prej pesë personave të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit/Finalizohet një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar, të koduar “The ëanted”.
I dënuar dhe i akuzuar për krime kundër personit, armëmbajtje pa leje, pastrim parash dhe krime ekonomike, ekstradohet nga Spanja, 41-vjeçar.
Si rezultat i bashkëpunimit konsistent ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve në Madrid, gjatë kësaj faze të operacionit “The Wanted”, u ekstradua nga Barcelona, shtetasi në kërkim ndërkombëtar, Arnold Jaho, 41 vjeç, lindur në Vlorë.
Gjykata e Tiranës, në vitin 2026, e ka dënuar me 6 vjet burgim për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”, dhe në vitin 2024, me 1 vit burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.
Gjithashtu për këtë shtetas, Prokuroria e Tiranës, në vitin 2025, ka lëshuar urdhër ndalimi, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.