VLORË- Një ditë pasi shtatë fëmijë të kopshtit nr. 10 në Vlorë përfunduan në Pediatrinë e spitalit të qytetit me probleme shëndetësore, dyshohet se shkak është bërë helmimi nga uji i kontaminuar.
Raportohet, se sipas rezultateve të analizave të kryera në depozitën e ujit të kopshtit nr. 10, është evidentuar prani e ndotjes fekale, duke ngritur dyshime për një lidhje të mundshme me rastet e fëmijëve të paraqitur në spital.
Mësohet se analizat e mostrave të marra nga depozita kanë konstatuar fillimisht prani të amoniakut dhe mungesë të klorit, ndërsa rezultatet e fundit kanë evidentuar edhe ndotje fekale.
Ndërkohë, përveç fëmijëve, në Spitalin Rajonal të Vlorës raportohet për shtim të pacientëve me simptoma diarreje dhe të vjella. Në spital janë paraqitur edhe persona të rritur me të njëjtat shqetësime shëndetësore.
Situata ngre shqetësime për cilësinë e ujit të pijshëm në Vlorë. Megjithatë, mbetet për t'u sqaruar nëse ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes ndotjes së konstatuar në depozitën e kopshtit dhe shtimit të rasteve që po paraqiten në spital.
Më herët, u raportua se fëmijët janë paraqitur në spital mbrëmjen e 6 nëntorit, me dhimbje barku e të vjella të vazhdueshme. /ZËRI
