Politikë

Ftesa për dialog, Rama "pret" protestuesit në tryezën online: "Fol me kryeministrin"

Përmes një postimi në rrjete sociale, kreu i qeverisë ka shpërndarë linkun e platformës së re “Fol me kryeministrin”, të cilën e prezantoi disa ditë më parë.

zh.ll
Ftesa për dialog, Rama "pret" protestuesit në tryezën
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka përsëritur sërish sot ftesën për dialog me protestuesit, por këtë herë, jo përmes 'sofrës' së gurtë para Kryeministrisë. Përmes një postimi në rrjete sociale, kreu i qeverisë ka shpërndarë linkun e platformës së re “Fol me kryeministrin”, të cilën e prezantoi disa ditë më parë.

“Mirëmëngjes dhe me Pasqyrën e Dialogut, në telefonin apo kompjuterin tuaj, ju uroj një të diel të paqtë”, shkruan kryeministri.

Vetëm dy ditë më parë, kryeministri prezanyoi faqen 'Folmekm.al', një platformë e cila synon dialogun online me studentët. Portali vjen pas refuzimeve për dialog me kryeministrin nga studentët dhe protestuesit. Sipas kreut të qeverisë dialogu është penguar nga presioni, kërcënimet dhe dhuna. Rama u shpreh se platforma do të jetë e hapur 24 orë në ditë dhe do të shërbejë si një urë komunikimi për shkëmbimin e informacionit dhe opinioneve. 

Për të përdorur platformën, qytetarët duhet të identifikohen fillimisht përmes portalit e-Albania. Përmes butonit “Shkruaj”, të interesuarit mund të dërgojnë mesazhet e tyre, ndërsa në platformë është vendosur edhe një rubrikë që shpjegon arsyen e krijimit të kësaj hapësire. Më pas, mesazhet do të kalojnë në shqyrtim për të përcaktuar mënyrën e trajtimit, ndërsa çështjet që prekin interesin e publikut do të adresohen me përgjigje të drejtpërdrejta nga kryeministri.

Thirrja e Ramës për dialog, tashmë e përsëritur vazhdimisht, vjen në një kohë kur protestat vijojnë prej ditësh. Një ditë më parë, studentët u mblodhën sërish në protestë, me grumbullimin që nisi pranë Ministrisë së Arsimit rreth mesditës. Gjatë tubimit u shënuan tensione, ku u dogjën disa kosha mbeturinash dhe pati sulme me gurë e sende të tjera të forta ndaj policisë. Ndërkohë që destinacioni i fundit ishte para Kryeministrisë. /ZËRI

MOS HUMB