
FRANC- Marine Le Pen dhe Jean-Luc Mélenchon po konsolidojnë pozitat në garën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 në Francë, ndërsa qendra politike po humbet terren. Sipas sondazhit të publikuar nga Reuters Le Pen kryeson me 34% deri në 36% të mbështetjes në raundin e parë, në varësi të skenarit elektoral.
Matja, e realizuar nga Toluna Harris Interactive mes datave 3 dhe 5 nëntor tregon se liderja e së djathtës ekstreme ruan mbështetje të lartë, megjithëse me një rënie të lehtë krahasuar me sondazhin e muajit të kaluar kur rezultonte me 35% deri në 37%.
Në krahun tjetër lideri i së majtës Jean-Luc Mélenchon vlerësohet me 18% deri në 19% të votave dhe parashikohet të kalojë në raundin e dytë në të pesë skenarët e testuar.
Në një përballje të mundshme mes tyre në balotazh, sondazhi nxjerr Le Pen me epërsi ndaj Mélenchon.
Rezultatet vijnë në prag të përfundimit të mandatit të dytë të Emmanuel Macron, i cili nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë radhazi. Sipas Reuters dobësimi i qendrës politike dhe vështirësitë ekonomike po krijojnë hapësirë për rritjen e forcave në të dy skajet e spektrit politik.
Për Le Pen dhe Mélenchon zgjedhjet e vitit 2027 do të ishin përpjekja e katërt për presidencën. Le Pen ka arritur dy herë në balotazh, në vitet 2017 dhe 2022 ndërsa Mélenchon nuk ka kaluar asnjëherë raundin e parë.
Sondazhi pasqyron preferencat aktuale të votuesve dhe nuk përbën parashikim përfundimtar të rezultatit të zgjedhjeve./ZËRI