Bota

FBI po heton çështjen e kreut të Nvidia-s, Trump zbulon telefonatën me gjigandin e mikroçipave: Ai nuk e dinte

Pekini ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si “krejtësisht të pabazuara, spekulative dhe të qëllimshme për të njollosur dhe denigruar Kinën”.

F.I
FBI po heton çështjen e kreut të Nvidia-s, Trump zbulon
Donald Trump dhe Jensen Huang

SHBA-Presidenti Donald Trump ka konfirmuar se FBI po heton çështjen e marrëdhënies mes drejtuesit të kompanisë Nvidia, Jensen Huang, dhe Alice Huang, një grua e dyshuar nga autoritetet amerikane si spiune e Kinës. BBC shkruan se Trump ka biseduar me drejtuesin e kompanisë dhe e kishte pyetur nëse kishte pasur dijeni për lidhjet e saj të dyshuara me spiunazhin kinez. Sipas presidentit amerikan, Huang i ka mohuar këto dyshime.

"I bëra atë pyetjen, 'A kishe ndonjë ide se ajo ishte spiune?' Ai tha 'Nuk kisha asnjë ide se ajo ishte spiune' dhe unë vërtet e besoj atë," u tha Trump gazetarëve.

Sipas një raportimi të gazetës “The New York Times”, zyrtarët amerikanë të inteligjencës besojnë se Alice Huang, e njohur edhe si Huang Le, punonte për Pekinin. Ajo nuk ka lidhje familjare me drejtuesin e Nvidia-s. Sipas gazetës, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u kishte dërguar pranverën e kaluar një memorandum zyrtarëve të lartë në Uashington, ku paralajmëronte se Jensen Huang kishte një marrëdhënie të afërt me një person të dyshuar për spiunazh në favor të Kinës.

Alice Huang ka qenë drejtuese e kompanisë singaporiane Megaspeed, e cila ka pasur marrëdhënie tregtare me Nvidia-n. BBC-ja tentoi të merrte një koment nga kompania, por një punonjës i saj tha se nuk kishte asnjë deklaratë për të bërë dhe i drejtoi pyetjet te ekipi i marrëdhënieve me publikun.

Nga ana tjetër, Pekini ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si “krejtësisht të pabazuara, spekulative dhe të qëllimshme për të njollosur dhe denigruar Kinën”.

Nvidia ka nisur një hetim të pavarur për çështjen dhe ka deklaruar se nuk ka arsye të besojë se sekretet e kompanisë apo siguria kombëtare e SHBA-së janë cenuar. Vetë Jensen Huang ka thënë se është “i përkushtuar për të mbrojtur Nvidia-n dhe për të mbështetur sigurinë kombëtare të Amerikës”, duke shtuar se do të bashkëpunojë me hetimin e nisur nga kompania.

Trump u shpreh se e konsideron drejtuesin e Nvidia-s një person të ndershëm dhe beson se ai do ta kalojë këtë situatë pa pasoja.

“Shpresoj që të mos ketë asnjë problem. Besoj se ai po vuan shumë”, tha presidenti amerikan.

Lajmi ka ndikuar edhe në tregun e aksioneve. Vlera e Nvidia-s ra me rreth 250 miliardë dollarë të hënën, pasi aksionet e saj humbën më shumë se 4%. Kompania është aktualisht e dyta më e vlefshme në botë, pas Apple, dhe prodhon procesorë që janë thelbësorë për zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Nvidia, e themeluar në vitin 1993 nga Jensen Huang dhe dy inxhinierë të tjerë, fillimisht prodhonte çipa për industrinë e lojërave elektronike. Kompania u shndërrua në një nga gjigantët më të mëdhenj të teknologjisë pasi përqendroi aktivitetin e saj te zhvillimi i inteligjencës artificiale.

Për shkak të rëndësisë së çipave të saj në garën teknologjike mes SHBA-së dhe Kinës, eksportet e produkteve Nvidia drejt tregut kinez janë trajtuar nga Uashingtoni si çështje e sigurisë kombëtare. Jensen Huang ka kundërshtuar prej kohësh kufizimet ndaj shitjeve në Kinë, duke argumentuar se përdorimi i teknologjisë amerikane do të ndihmonte përhapjen globale të inteligjencës artificiale.

MOS HUMB