TIRANË-Ish-ministri i Mbrojtjes dhe njëherësh kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu është paraqitur mëngjesin e sotëm në GJKKO për seancën e radhës në procesin gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit. Në Gjykatën e Posaçme sot zhvillohet gjyqi i themelit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes.
Mediu, pretendon se ai është ngarkuar nga SPAK për gjëra që s’kanë qenë përgjegjësi e një ministri. Ish-ministri ka deklaruar se ndarja e kalibrave nuk është autoritetet i ministrit të Mbrojtjes, por ka rregullore që e përcakton. Ai ka theksuar se do të vijojë me kundërshtimet e pretendimeve të SPAK.
Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.
Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”./ZËRI