
TIRANË- Policia e Shtetit ka paralajmëruar qytetarët për një valë të re mashtrimesh përmes mesazheve SMS ku persona të paidentifikuar përdorin emrat e institucioneve publike për të përvetësuar të dhënat personale dhe bankare.
Sipas Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik, mesazhet dërgohen në emër të Bashkisë së Tiranës DPSHTRR-së dhe Postës Shqiptare, duke pretenduar se qytetarët kanë detyrime të papaguara parkimi, gjoba rrugore apo probleme me dorëzimin e pakove postare.
Përmes lidhjeve të bashkëngjitura në SMS qytetarët orientohen drejt faqeve të falsifikuara, të cilat imitojnë platformat zyrtare të institucioneve. Atyre u kërkohet të vendosin të dhënat e kartave bankare, përfshirë kodin e sigurisë dhe kodet e verifikimit, të cilat më pas mund të përdoren për transaksione të paautorizuara dhe tërheqjen e parave nga llogaritë e tyre.
Autorët përdorin afate të shkurtra dhe njoftime për detyrime urgjente, me qëllim që qytetarët të veprojnë pa verifikuar vërtetësinë e mesazheve.
Policia u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhje të dyshimta dhe të mos vendosin të dhënat bankare në faqe të hapura përmes SMS-ve.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Vijojnë fushatat e mashtrimit përmes mesazheve SMS. Policia e Shtetit apelon: Mos vendosni të dhënat tuaja bankare në faqe të dyshimta!
Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ka evidentuar fushata të reja mashtrimi përmes mesazheve SMS (smishing), të cilat po u dërgohen qytetarëve duke përdorur në mënyrë të rreme emërtimet e institucioneve dhe shërbimeve publike shqiptare.
Këto fushata vijnë në vijim të rasteve të evidentuara më parë, ku autorët, duke u prezantuar në mënyrë të rreme si institucione bankare, kanë tentuar të mashtrojnë qytetarët përmes faqeve të falsifikuara të internetit, me qëllim përvetësimin e të dhënave të tyre personale dhe bankare.
Nga monitorimi i fundit janë evidentuar mesazhe që paraqiten në emër të:
* Bashkisë Tiranë / Shërbimit të Parkimit, duke pretenduar ekzistencën e tarifave të papaguara të parkimit;
* DPSHTRR-së, duke njoftuar për shkelje të qarkullimit rrugor dhe gjoba të papaguara;
* Postës Shqiptare, duke pretenduar se qytetarët duhet të përditësojnë adresën për të mundësuar dorëzimin e pakove postare.
Në këto raste, mesazhet përmbajnë lidhje elektronike (linke), të cilat i orientojnë qytetarët drejt faqeve të falsifikuara të internetit, që imitojnë faqet zyrtare të institucioneve përkatëse.
Qëllimi i këtyre fushatave është mashtrimi i qytetarëve për të siguruar të dhënat e tyre personale dhe bankare, përfshirë numrin e kartës bankare, datën e skadencës, kodin e sigurisë (CVV/CVC) dhe kodet e verifikimit, të cilat mund të përdoren për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe përvetësimin e parave nga llogaritë bankare.
Autorët përdorin njoftime për detyrime të papaguara, afate të shkurtra kohore apo probleme me dërgesat postare, duke krijuar ndjesinë e urgjencës për t’i nxitur qytetarët të veprojnë pa verifikuar vërtetësinë e mesazheve.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve:
* Mos klikoni në lidhje të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, pavarësisht institucionit në emër të të cilit paraqiten.
* Mos vendosni të dhënat e kartave bankare, kodet CVV/CVC apo kodet e verifikimit në faqe të hapura përmes këtyre mesazheve.
* Verifikoni çdo njoftim për pagesa gjoba./ZËRI