Aktualitet

DETAJE të reja nga dosja: Nga diagramet e dyshuara të SHISH-it te targat 'speciale' në makinat e Agasi

Detaje të reja nga dosja hetimore ndaj Ergys Agasit dhe ish-shefes së SHISH-it, Vlora Hyseni, lidhen me nëntë fletë me diagrame të gjetura në makinën e biznesmenit, për të cilat SPAK dyshon se janë prodhuar nga SHISH. Në hetim janë edhe targat e automjeteve të Agasit, për të cilat dyshohet se janë siguruar nga zyrtarë të Policisë së Elbasanit.

zh.ll
DETAJE të reja nga dosja: Nga diagramet e dyshuara të SHISH-it te
foto ilustrim: ergys agasi-vlora hyseni

TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur lidhur me hetimin ndaj Ergys Agasit dhe ish-shefes së SHISH, Vlora Hyseni. Bëhet fjalë për nëntë fletë me diagrame të gjetura në automjetin e Agasit, për të cilat SPAK ka deklaruar se janë prodhuar nga SHISH. Ndërkohë, sipas arsyetimit të GJKKO-së, këto dokumente përmbajnë informacion të klasifikuar, të përpunuar dhe të gjurmuar në mënyrë operative nga agjentët e SHISH-it.

Mbrojtja ka pretenduar se nuk ekziston asnjë provë që ta vërtetojë këtë lidhje. Megjithatë, gjykata thekson se printimet përmbajnë analiza të detajuara gjurmuese të cilat, sipas saj, janë 'vepër e shërbimeve sekrete'.

“Këto mënyra gjurmimi të dhënash, analizimi dhe përpunimi informacioni dhe demonstrimi material i gjithë kësaj pune operative të të dhënave është vepër e shërbimeve sekrete. Sigurisht që hetimi paraprak i mëtejshëm do të duhet ta sqarojë këtë fakt me rëndësi të drejtpërdrejtë relevante me procedimin penal”, thuhet në dokument.

Ndërkohë, një tjetër element që bie në sy nga dosja hetimore është ajo e targave në automjetet e përdorura nga Agasi. Sipas SPAK, dyshohet se Agasi ishte pajisur nga zyrtarë të Policisë së Elbasanit me targa të paidentifikueshme. Bëhet fjalë për targa që përdoren vetëm për disa institucione specifike shtetërore./ZËRI

MOS HUMB