Aktualitet

Gjykata lë në burg dajën e deputetes Zegjine Çaushi, dyshohet se plagosi me drapër babanë e 34-vjeçares

Nga ana tjetër Bakaj i ka mohuar akuzat për përdhunim duke pretenduar se mes tyre kishte pasur bashkëjetesë.

M.K.

Gjykata lë në burg dajën e deputetes Zegjine Çaushi,

FIER- Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë 'Arrest në burg' për Bledar Bakajn, 52 vjeçarin që dyshohet se plagosi me drapër babanë e një 34 vjeçareje në fshatin Suk të Roskovecit. Bakaj është daja i deputetes socialiste Zegjine Çaushi dhe do të qëndrojë në qeli deri më 17 dhjetor në vijim të hetimeve për ngjarjen e 13 shtatorit.

Sipas dyshimeve të hetuesve, konflikti nisi pasi 52vjeçari shkoi në banesën e familjes Grëmi për të marrë me forcë 34-vjeçaren. Babai i saj Enver Grëmi ndërhyri për ta ndaluar, pasoje e cila solli përplasjen mes tyre. Gjatë konfliktit ai mbeti i plagosur në këmbë pasi dyshohet se u godit me drapër.

Në sfondin e kësaj ngjarjeje qëndrojnë edhe denoncimet e mëparshme të 34-vjeçares, e cila kishte pretenduar se Bakaj i kishte premtuar një vend pune, por më pas e kishte mbajtur për 45 ditë kundër dëshirës së saj dhe e kishte dhunuar seksualisht. Për këto pretendime ajo kishte kërkuar edhe urdhër mbrojtjeje gjatë muajit gusht.

Nga ana tjetër Bakaj i ka mohuar akuzat për përdhunim duke pretenduar se mes tyre kishte pasur bashkëjetesë.

Vendimi për masën e sigurisë u dha më 9 nëntor nga gjyqtarja Bora Shaholli. Bledar Bakaj po hetohet për veprat penale 'Plagosje e rëndë me dashje'dhe 'Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës'. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe pretendimet e palëve./ZËRI

MOS HUMB