TIRANË-Pasi firmosi nga qelia shkarkimin e të drejtoreshës së Përgjithshme të Kopshteve dhe Çerdheve të Tiranës, Zhaneta Beqirit, kryebashkiaku Erion Veliaj ka emëruar në vend të saj Arjola Byzykën. Emërimi i Arjola Byzykës vjen edhe me ndryshime, ku Veliaj njofton se nga viti 2027 çerdhet dhe kopshtet do të jenë falas.
Erion Veliaj: Pas 13 vitesh bashkëpunimi me Zhanetën dhe me mirënjohje për kontributin e saj në drejtimin e Drejtorisë së Çerdheve dhe Kopshteve, Arjola Byzyka merr sot drejtimin e kësaj drejtorie, duke vijuar punën e nisur ndër vite. Një nënë e dashur, profesioniste, aktiviste e palodhur dhe e përkushtuar në çdo detyrë që i ngarkohet. Këtij ndryshimi i bashkohet edhe një lajm i bukur për të gjitha familjet: Nga viti 2027, çerdhet dhe kopshtet do të jenë falas! Një tjetër hap i rëndësishëm në mbështetje të prindërve dhe në krijimin e më shumë mundësive për fëmijët tanë.
Arjola Byzyka ka ushtruar më herët funksionin e drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore Rajonale (DAR) Tiranë, duke pasur një përvojë të mëparshme në drejtimin e institucioneve të arsimit publik. Gjithashtu, emri i Buzykës rezulton në grupin teknik të punës për vlerësimin e riskut në nivel vendor pranë Bashkisë së Tiranës, në kuadër të strukturave të Drejtorisë së Politikave Lokale Arsimore.
