
TIRANË- Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka reaguar një ditë pas përjashtimit nga Grupi i PS-së. Në një konferencë për mediat nga Kuvendi, Spiropali se e ka marrë si dekoratë faktin se në këto 35 vite është gruaja e parë e përjashtuar nga një forum partie në 2026-ën, për shkak të qëndrimeve të saj. Sa i përket qëndrimeve të saj, Spiropali tha se nuk kanë qenë për arsye personale, por pas analizës të sipas saj, asaj që po ndodh aktualisht në Shqipëri.
“Unë jam e para grua në 35 vite që përjashtohem nga PS dhe po e marr si dekoratë këtë. Unë isha dhe kryetarja më e re e zgjedhur nga Kuvendi dhe gruaja e parë e përjashtuar nga një forum partie, mendoj se nuk duhet të habitemi fare. Nuk ka asgjë për t’u habitur këtu, kur ata që duhet të ikin, rrinë. Shqipëria ka hyrë në një fazë delikate të zhvillimit të saj.
Në momentin që unë kam mbajtur qëndrime publike për t’i vënë fre pushtetit, për ta kufizuar në funksion të një Shqipërie që është e të gjithëve, në momentin që kam mbajtur qëndrime që nuk udhëhiqeshin nga një nevojë personale, di ta bëj shumë mirë brenda forcës sonë politike, na ka mësuar koha e përgjegjësitë, por ishte koha për ta kuptuar që gjërat kanë ndryshuar thellësisht. Në atë kohë shumë ngritën vetulla dhe pyetën nga erdhi kjo, ishte një analizë. E mbaj si dekoratë që jam përjashtuar. Pa diskutim që kam edhe unë përgjegjësitë e mia në konsolidimin e pushtetit të personalizuar dhe partisë së një njeriu, qeverisë dhe pushtetit të një njeriu, kjo është përtej pushtetit të Edi Ramës dhe raportit personal. Ishte ajo nevojë e brendshme për të thënë që dinjiteti njerëzor dhe guximi qytetar janë më të fortë se çdo triumfalizëm. Kur kjo mungon, s’ka shtyllë që e mban në këmbë, s’ka rëndësi sa mandate”, tha Spiropali.
Gjatë konferencës, Spiropali ka ngrotir pretendimet se nuk ka pasur asnjë votim për përjashtimin e saj, as në Asamblenë Kombëtare dhe as në mbledhjen e Grupit Parlamentar. Duke komentuar procedurën e ndjekur, Spiropali përmendi se mbledhje të një modeli të tillë nuk zhvilloheshin as në kohën e komunizmit, Koçi Xoxe apo Kadri Hazbiu.
"Këto janë vendime që merren në salla të mbyllura me propozimin e nje njeriu. Nuk ka votim. Në ata asamble të PS nuk pati asnjë votim. Nuk mori përsipër njëri të mbante një procesverbal, pra ai vendim është nul. Kaq e madhe qenka frika nga fjalët e një gruaje, lërë me veprimi. Gratë nuk janë fasadë për t’i vendosur aty kur ka fushatë dhe të duken bukur, gratë kanë dhe qëndrime. Kur nuk përputhen me qëndrimin e udhëheqjes. Unë diskutimet i bëra aty, s’ka rëndësi a jam unë flamingo e parë. Unë nuk jam, do ta kisha për nder. Por flamengot janë një shprehje e kërkesës shoqërore për tu ngritur në një nivel tjetër, demokratizim. As Koçi Xoxe e Kadri Hazbiu si bënte këto nëpër mbledhje të mbyllura, pa u dëgjuar ai që po akuzohej. Ca është kjo që partitë duhet të jenë grusht i bashkuar për unitetin. Kam mbajtur debatin me Berishën në kuvend, se ai përfaqëson këtë model brenda partisë së tij dhe opozitës në këndvështrimin tim. Por s’mund të këtë vendimmarrje të tilla, që më shumë se legjitimitet ato shprehen arbitraritetin ekstrem të vendimmarrjes së pak njerëzve", tha Spiropali.
Një ditë më parë, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste votoi pro përjashtimit të Spiropalit, ndërsa vetëm dy deputetë, Erion Braçe dhe Blendi Çuçi, abstenuan. Vendimi erdhi disa ditë pas kryeministri Edi Rama kërkoi largimin e saj nga të gjitha forumet dhe strukturat e partisë gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, të zhvilluar më 14 nëntor.
Çfarë ndodh tani pas përjashtimit të Spiropalit? PS zbret në 81 mandate
Partia Socialiste siguroi shumicën e mandateve në Kuvend, në zgjedhjet e 11 majit 2025 me 83 vende, por numri u ul me largimin e deputetets së Malësisë së Madhe, Marjana Koçeku. Aktualisht, edhe me përjashtimin e Spiropalit, mandatet e socialistëve zbresin në 81.
Kjo do të thotë se PS nuk do të mund të sigurojë e vetme shumicën e cilësuar prej 84 votash, që i lejonte mazhorancës të miratonte pa probleme edhe ligjet. Në këto kushte, votat e tre deputetëve socialdemokratë të Tom Doshit do të merrnin një rëndësi vendimtare për mazhorancën./ZËRI