
TIRANË- Ndeshja e femrave për Kategorinë Superiore, Tirana-Vllaznia është ndërprerë për shkak të dhunës. Lajmi bëhet me dije nga Klubi i Tiranës, përmes një postimi në rrjetet sociale, në të cilin thekson se nuk kanë munguar konfrontimet fizike mes dy klubeve. Ngjarja mësohet se ka ndodhur këtë pasdite në kompleksin “Skënder Halili”. Sipas Klubit të Tiranës, klubi shkodran nuk ka lejuar që ndeshja të luhet dhe është ndërprerë në minutën e 22-të për shkak të dhunës që ka nisur mes vajzave.
Reagimi i klubit:
Ditën e sotme ishte planifikuar të luhej ndeshja KF Tirana Femra – KF Vllaznia Femra, në kompleksin “Skënder Halili”. Në këtë takim, klubi shkodran nuk ka lejuar që ndeshja të luhet, duke dhënë shembullin më të keq, në një vend ku futbolli i femrave po zhvillohet dhe për më tepër që dy skuadrat ishin duke zhvilluar kampionat me pikë të plota dhe duke ndarë vendin e parë. Në minutën e 22-të ndeshja është ndërprerë, pasi skuadra kundërshtare ka reaguar ndaj pankinës sonë, fillimisht duke sharë e duke fyer, e më pas duke kaluar edhe në dhunë fizike.
Situata ka eskaluar, ku drejtuesit e Vllaznisë Femra, janë larguar nga pankina e tyre dhe kanë ardhur në pankinën e skuadrës së Tiranës dhe kanë nisur të shfaqin akte të tmerrshme dhune e të godasin stafin teknik, drejtuesit e klubit të Tiranës Femra si edhe futbollistet. Klubi i Vllaznisë Femra ka dhunuar barbarisht drejtoreshën e klubit të Tiranës, Edonisa Aliaj, portieren Delvina Dyrmishi dhe futbollisten Flondra Behrami. Dhuna ndaj grave edhe vajzave është një shkelje e përhapur e të drejtave të njeriut dhe një problem global i shëndetit publik me përmasa epidemike. Ne si klub, presim zbardhjen e kësaj çështjeje nga organet kompetente dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë deri sa ngjarja të zbardhet plotësisht e aktorët që po shkatërrojnë futbollin “Fair Play”, të marrin dënimin e merituar. Asnjë justifikim për dhunën ndaj vajzave dhe grave! Asnjë justifikim për dhunën në sport!