
KOSOVË- Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Stresin, si bashkëpunëtor në dhunimin e personazhit të njohur në Tik Tok, Muhamet Iseni (Medi Iseni), pasi reperi dha intervistë për mediat e Kosovës. Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se reperi me identitetin e vërtetë, Arkimed Lushaj akuzohet për veprën penale “Ndihma” nё kryerjen e veprës penale “Lёndim i rёndё trupor”. Teksa bashkangjisin foton dhe detajet fizike të Stresit, autoritetet kosovare kërkojnë ndihmë nga qytetarët për arrestimin e tij.
Njoftimi:

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligjin për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar më autorizimin e Prokurorisë Themelore nё Pejё, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.
Personi i kërkuar është: Arkimed (Sali) LUSHAJ i lindur me 15.06.1987 nё Bajram Curr- Shqipёri. I pandehuri, sipas policisë është i kërkuar për veprën penale: “ Ndihma” nё kryerjen e veprës penale “Lёndim i rёndё trupor”.
“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor. Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës: 192 dhe 080019999 (pa pagesë), 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë, E-mail adresa: [email protected].
Reperi Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit si Noizy, bashkë me grupin e tij është përfshirë në një sherr masiv, ku dyshohet se ka dhunuar Medi Isenin. Personazhi i njohur i 'Tik-Tok' Medi Iseni akuzon se “u pre në besë” nga reperi tjetër shqiptar, Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizyn dhe grupin e tij. Vetë Stresi i ka mohuar akuzat. Ndërsa, reperi Noizy ka anuluar dy koncerte deri më tani, për shkak të çështjes në fjalë, një në Pejë dhe një tjetër në Gjilan. Prokuroria e Pejës po heton çështjen./ZËRI