
TIRANË- Bahtjar Bajraktari, i njohur si DJCRAX, i cili është shpallur në kërkim bashkë me reperin Rigels Rajku të njohur ndryshe si Noizy u ka kërkuar ndjesë familjarëve dhe dashamirësve të tij për përfshirjen në dhunimin e Muhamet Isenit (Medi Iseni). Në një postim në rrjetet sociale ai shkruan se ndihet i turpëruar nga kjo ngjarje dhe pret që autoritetet e Kosovës ta zbardhin sa më shpejt.
“I kerkoj ndjesë familjarve, miqve dhe dashamirësve për rastin e fundit. Unë nuk jam kriminel me më shpall në kërkim as nuk i largohem drejtësisë, po kjo që po ndodh është shumë e padrejtë, ndaj meje dhe ndaj shokut tim. Vij nga një familje deëshmorësh, fisnike dhe me traditë SHQIPËTARE dhe ndihem i turpëruar për gjithë këtë ngjarje. Uroj që organet e drejtësisë të bëjnë punën e duhur dhe nuk dyshoj që çdo gjë do bjerë në vendin e vet. Ne nuk kemi leënë vend për dhunë në asnjë moment jo sot po as dje e as nesër, puna jonë ka qenë dhe do jetë e pastër duke mos e ngacmu asnjë dhe mbi të gjitha duke ju shmang problemeve gjith kohës. Edhe njëherë i kërkoj falje posaçerisht familjes time të gjerë dhe ju premtoj që çdo gjë do jetë në dorën e drejtësisë. Faleminderit per mbeshtetjen dhe respekt per te gjithe,”- shkruan ai ndër të tjera.
Reperi Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit si Noizy, bashkë me grupin e tij është përfshirë në një sherr masiv, ku dyshohet se ka dhunuar Medi Isenin. Personazhi i njohur i 'Tik-Tok' Medi Iseni akuzon se “u pre në besë” nga reperi tjetër shqiptar, Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizyn dhe grupin e tij. Vetë Stresi i ka mohuar akuzat. Ndërsa, reperi Noizy ka anuluar dy koncerte deri më tani, për shkak të çështjes në fjalë, një në Pejë dhe një tjetër në Gjilan. Prokuroria e Pejës po heton çështjen./ZËRI