
SHBA- Këngëtarja shqiptare Parashqevi Simaku ka dalë nga spitali në New York, ku po kurohej prej më shumë se një muaji për shkak të gjendjes së saj të rënduar psikologjike. Lajmi u bë i ditur nga sipërmarrësi Elton Ilirjani, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, ndau edhe disa foto të këngëtares. Ajo duket në formë të mirë dhe më e qetë.
“Surprizë, ia dolëm”, shkruan Ilirjani në postimin e tij.
Disa ditë më parë, Ilirjani theksoi se me daljen nga spitali nuk do të thotë se ka kaluar problemi. Ai kërkoi ndihmë për përkujdesjen që i duhet Simakut pas kurimit në spitalin psikiatrik.
“Rrugëtimi i saj do të rinisë, do shkoj t’ia jap lajmin e mirë që ajo mezi po e pret. Do t’i çoj dhe byrek me spinaq, që ajo e ka shumë qejf. Kjo s’do të thotë se çdo gjë ka kaluar. Unë e di që kur ajo të dalë, do të vazhdojë me dëshirat e saj, me mënyrën si e shikon të gjithë këtë gjendje, por ne do të jemi aty për ta ndihmuar. Ky ka qenë një muaj me shumë dhimbje, me shpresë, me frikë, por po ia dalim. I bëj thirrje të gjitha grave shqiptare, ato që kanë kohë të lirë, që të mund të na ndihmojnë gjatë akomodimit të Simakut në shtëpinë e saj të re. Apo për të qëndruar me të gjatë ditës dhe natës, për t’i qëndruar pranë. Do doja ta bëja unë këtë punë 24/7, por kushtet e mia nuk ma lejojnë. Nuk kam fjalë nga gjithë kjo eksperiencë, ka qenë shumë e bukur dhe shumë lodhëse. Dalja nga spitali nuk do të thotë që ka kaluar problemi, do të thotë që puna fillon këtu”, shprehet biznesmeni.
Parashqevi Simaku ishte zhdukur prej vitesh. Figura e këngëtares së njohur u rikthye sërish në vëmendjen e publikut pasi një video e transmetuar nga televizioni amerikan "Abc 7", ku Parashqevi Simaku shihej teksa merrte ndihma si e pastrehë. Më vonë, ajo u takua me biznesmenin Elton Ilirjani, i cili hapi dhe një GoFundMe për ta rikthyer këngëtaren shqiptar në skenën e muzikës./ZËRI