"Dashuritë, harresa! Deri më sot, unë kam mësuar, eksperimentuar", këto ishin fjalët e fundit që Parashqevi Simaku tha për Shqipërinë dhe më pas u zhduk! Parashqevi Simaku, lindur më 1 shtator 1966, në Kavajë, ka qenë një nga këngëtaret më të mirënjohura të brezit të saj që u kthye në emblemën e hijeshisë dhe të bukurisë shqiptare. Por edhe jeta "e fshehtë" larg Amerikës dhe heshtja e saj shtoi misterin rreth saj duke e kthyer në një mit të muzikës shqiptare. Në Shqipëri numëronte dhjetra këngë dhe çmime të shumta të fituara, por edhe ajo si shumë të tjerë vendosi të ikte larg, drejt një toke të premtuar, drejt ëndrrës amerikane.
Pas rënies së komunizimit, Parashqevi Simaku iku nga Shqipëria në vitin 1992. Në Shqipëri nuk kishte asnjë lajm prej saj, përkundrazi kur u kthye u zbulua se ishte larguar drejt Amerikës. Por zgjodhi kohën e gabuar! Për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës dhe dhënë një koncert në Shqipëri, ajo u rishfaq në skenë në vitin 1997. Shqipëria ishte në luftë civile dhe armët e vrasjet ishin normaliteti absurd për kohën. E zhgënjyer, u largua sërish. Por kësaj here për të mos u kthyer më!
Rrjetet ku ka shqipfolës po “çmenden” nga ngjashmëria e një gruaje me këngëtaren shqiptare. Veçse është shumë ndryshe nga ajo që ishte menduar për jetën e saj. Në vitin 2006, ajo nënshkroi një kontratë me Sony dhe BMG për CD-në e saj në gjuhën shqipe me titull “Echoes from Iliria”, por duket se në një moment, jeta i ka marrë kthesën në 180 gradë. Nga një yll që vetëm premtonte, ajo sot është e pastrehë, ose të paktën kështu konfirmojnë edhe familjarët e saj.
Por çfarë ka ndodhur me këngëtaren dhe përse është rikthyer në vëmendje?
Ishte një video e postuar nga televizioni amerikan "Abc 7" që na prezantoi me një tjetër version të këngëtares, e cila merr ndihma për të pastrehët. Në video, ajo prezantohet me emrin "Simaku Nolfe", në fakt ky është mbiemri i ish-bashkëshortit të saj, Robert Nolfe.
Simaku kishte përfunduar e pastrehë dhe jeton me ndihmat që merr nga shteti, por edhe nga bamirësit amerikanë.
Mjekja Donalda Surducku, kushërirë me Parashqevi Simakun tregoi se edhe ata si familjarë nuk kishin pasur kontakte me këngëtaren. Madje, lajmi i fundit që kishin marrë vesh për të ishte se ajo kishte pësuar një hemoragji cerebrale. Ndër të tjera, ajo zbuloi edhe ndarjen nga bashkëshorti, i cili mori edhe kujdestarinë e djalit të tyre.
Duket se sfidat dhe jeta e kanë vënë përfund, por kjo nuk do të thotë që askush nuk kujdeset për të. Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, më konkretisht në Amerikë janë angazhuar për gjetjen e saj. Dhe ashtu siç kanë bërë në raste të tjera, do të ndihmojnë edhe atë që dikur, në Shqipërinë e errët dhe të izoluar i jepte një rreze drite përmes artit të saj.
Por edhe në Shqipëri, jeta e saj nuk ka qenë kurrë e thjeshtë! Kështu la të paktën të kuptonte vetë në intervistën e saj të fundit. Nga thashethemet, tek dashuria e pamundur me një politikan, ishin disa nga sfidat që ajo kaloi në jetë, por fatkeqësisht nuk kanë qenë të fundit. Ka kaluar edhe të tjera më të forta! Të tjera stuhi që nuk i ka vënë dot përfund me dashurinë e saj më të madhe dhe më të pashtershme; muzikën.
Kush ishte vërtetë Simaku dhe cili ishte impakti i saj në realitetin tonë të vogël?
Herën e fundit që ajo foli, ishte në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga.
Edhe pse në Shqipëri kishte luftë, të gjitha pyetjet ishin për dashurinë. Intervista nuk u botua për shkak se gazeta "Koha Jonë" u dogj më 2 mars 1997. Ajo u botua e plotë, vetëm pas rihapjes, më 4 maj 1997. Prej asaj kohe Parashqevei Simaku nuk ka folur më kurrë, askush nuk di çfarë ndodhi me të. Përveçse dimë me siguri që e duan akoma…