
TIRANË-Autoriteti i Mediave Audiovizuale ka reaguar në lidhje me situatën e funfit të ndodhur në 'Big Brother Vip'. Kryetarja e AMA-s, Armela Kreasniqi me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka dënuar veprimin e Jozefin Markut ndaj Gjestit, ku e quajti këtë të fundit ‘kopil shkine’. Krasniqi shkruan se dënon me forcë përdorimin e gjuhës diskriminuese, të urrejtjes e ndasisë, të përdorur nga një prej banorëve - për më tepër personazh i njohur - kundrejt një banori tjetër.
Kryetarja sqaron se strukturat përgjegjëse pranë AMA-s, kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm si me OSHMA-në, ashtu edhe me platformën dhe me produksionin, duke i vënë në dijeni shqetësimet e publiku dhe ka vepruar në rastet kur shkelja e dispozitave të Ligjit a Kodit është konstatuar. Në fund të reagimit, Krasniqi ka dhënë dhe një koment personal, ku shprehet se ndihet e prekur si nuse Kosove dhe nënë e dy nipave të Kosovës dhe nuk i kanë hije një shqiptari.
REAGIMI:
Kam përcjellë me shqetësim situatën e krijuar natën vonë, në emisionin "Big Brother VIP 4", të transmetuar në platformën me pagesë DigitAlb. Duke dënuar me forcë përdorimin e gjuhës diskriminuese, të urrejtjes e ndasisë, të përdorur nga një prej banorëve - për më tepër personazh i njohur - kundrejt një banori tjetër, i kujtoj OSHMA-së në fjalë, por edhe çdo operatori tjetër se, gjuha e urrejtjes, gjuha që ndjell diskriminim, jo vetëm që cenon të drejtat e njeriut, por edhe sjell dhunë. E përshëndes reagimin e produksionit të BBV 4, në formën e përjashtimit të autorit të këtij ligjërimi. E vlerësoj, si një akt përgjegjësie përveçse etike, edhe kundrejt detyrimeve, që përmbajtjet audiovizive të të gjitha zhanreve, kanë kundrejt dispozitave ligjore dhe nënligjore, që rregullojnë transmetimet audiovizive në Republikën e Shqipërisë. Që prej fillimit të transmetimit të këtij formati, strukturat përgjegjëse pranë AMA-s, kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm si me OSHMA-në, ashtu edhe me platformën dhe me produksionin, duke i vënë në dijeni shqetësimet e publikut, dhe është vepruar në rastet kur shkelja e dispozitave të Ligjit a Kodit është konstatuar. AMA do të vazhdojë monitorimin e transmetimeve audiovizive, duke evidentuar dhe shqyrtuar çdo rast të mosrespektimit të kërkesave të ligjit, "Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Kodit të Transmetimit, si edhe duke ua adresuar ato OSHMA-ve përkatëse. Pritshmëria jonë përputhet me pritshmëritë e publikut të gjerë për respektim të dinjitetit njerëzor dhe standardeve etiko-profesionale të transmetimeve audiovizive. V.O: Dy fjalë shumë personale. Ndihem e prekur akoma më shumë, si nuse Kosove dhe nënë e dy nipave të Kosovës. Ligjërime të tilla, fyerje të tilla të shëmtuara, nuk janë asgjë më tepër sesa veprime ndasie të rrezikshme që nuk i kanë hije një shqiptari!
Për shkak të komenteve fyese, diskriminuese dhe totalisht të pandjeshme ndaj bashkëkombësve tanë, Jozefin Marku u përjashtua nga gara.