
SHBA- Një video e transmetuar nga televizioni amerikan "Abc 7" ka tronditur rrjetin. Në pamje, mendohet të jetë këngëtarja e njohur shqiptare Parashqevi Simaku. Në videon e publikuar nga gazetari Blendi Fevziu, shihet një grua e cila ka ngjashmëri me këngëtaren, e cila merr nga fëmijët një "Çantë Bekimi (BackPack)" për të pastrehët. Në video, gruaja që merr çantën dhe flet prezantohet me emrin "Simaku Nolfe", në fakt ky është mbiemri i ish-bashkëshortit të saj, Robert Nolfe. Kështu që, përveç ngjashmërisë, shqiptarët që jetojnë në SHBA kanë bërë lidhjen edhe me emrin e saj dhe të të shoqit.
Parashqevi Simaku ka lindur në shtatorin e 1966 dhe ka dalë për herë të parë në skenën e Festivalit të Këngës në vitin 1983, kur ishte 17 vjeçe. Vinte nga Kavaja, nga një familje e thjeshtë, për të fituar besimin dhe admirimin e publikut që në daljet e para.
Këndoi në shumë festivale edhe Koncerte të Pranverës. Më 1985 (Festivali i 24-t i Këngës në "RTSH") zuri vendin e parë me këngën "Në moshën e rinisë", gjithashtu më 1988 fiton çmimin e parë të Festivali i 27-të i Këngës në "RTSH" me këngën "E duam lumturinë", kompozuar nga Pirro Çako. Repertori i saj përfshin një numër të madh interpretimesh. Pas vitit 1991 ajo largohet edhe jeton në SHBA, duke u marrë edhe atje me muzikën, dhe duke nxjerrë një album të ri. Hera e fundit që u shfaq në Shqipëri ka qenë viti 1996 në Festivali i 35-të i Këngës në "RTSH" si e ftuar. Ikona e muzikës shqiptare e la Shqipërinë në vitin 1992 për të filluar një tjetër jetë përtej oqeanit, në Amerikë./ZËRI