
TIRANË- Ndryshimet në ligjin për sigurinë kibernetike, miratimi i projektligjit për eficiencën energjetike dhe lirimi nga detyra i zëvendësministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit Endrit Hoxha janë disa nga vendimet e marra në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.
Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informimnë mbledhjen e 12 nëntorit qeveria ka miratuar edhe ndryshime në ligjin për ndihmën shtetërore, si dhe disa akte që lidhen me funksionimin e mekanizmit të koordinuar për referimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Në fokus të vendimeve kanë qenë gjithashtu çështjet e integrimit evropian, përmes ndryshimeve në rregullat e funksionimit të grupit negociator si dhe dy projektligje joqeveritare që lidhen me ndarjen administrativo- territoriale dhe zonat e mbrojtura, për të cilat qeveria ka dhënë mendimin e saj në Kuvend.
Ndërkohë, një tjetër vendim i mbledhjes ka qenë lirimi nga detyra i Endrit Hoxhës si zëvendësministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
NJOFTIMI
Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije projektligjet dhe vendimet e miratuara në mbledhjen e sotme të qeverisë datë 12.11.2026.
Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e projektligjeve:
-Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar.
-Për eficiencën energjetike.
Qëllimi i këtij ligji është të përcaktojë një kuadër të përgjithshëm masash për promovimin dhe përmirësimin e eficiencës energjetike në Republikën e Shqipërisë.
-Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 25/2024, “Për sigurinë kibernetike”.
U miratuan dhe vendimet si më poshtë:
-Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar
-Për përbërjen, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të mekanizmit të koordinuar të referimit të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
-Për dhënie mendimi Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin j(o)qeveritar “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
-Për dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për dy projektligjet joqeveritare “Për shfuqizimin e ligjit nr.21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura””.
-U miratua dhe lirimi nga detyra i Z. Endrit Hoxha si zëvendësministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit./ZËRI