TIRANË- Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Përmes një udhëzimi të firmosur nga kryetari i PD-së, Sali Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, janë përcaktuar kriteret dhe procedurat për propozimin e kandidatëve për kryetarë bashkish.
Mësohet se procesi që do të zhvillohet në të gjitha degët e PD-së, do të përfshijë një rrethë më të gjerë. Përveç anëtarësisë dhe strukturave të partisë, procesi do të përfshijë edhe mbështetësit, simpatizantët, shoqërinë civile, akademikët, profesionistët dhe komunitetet lokale.
Kandidatë do të përzgjidhen në bazë të disa kritereve. Sipas udhëzimit, kandidatët duhet të kenë integritet të lartë moral e profesional, reputacion të pacenuar, arsim të lartë dhe angazhim të dëshmuar në jetën publike, si dhe kontribute në PD ose në kauza qytetare.
Më pas, do të jetë një Komision i Seleksionimit me 5 anëtarë që do të vlerësojë kandidaturat. Ky komison, më pas, do t'i rekomandojë Kryesisë së PD-së emrat që plotësojnë kriteret. Ndërkohë, deputetët e PD-së dhe kryetarët aktualë të bashkive konsiderohen automatikisht të kualifikuar për fazat e mëtejshme.
Sa i përket emrave të kandidatëve, ata mund të propozohen nga strukturat ose të vetëpropozohen, ndërsa dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë sekretariatit përkatës të PD-së. Afati përfundimtar për mbledhjen e propozimeve është 30 nëntori 2026.
Më 30 tetor, presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 9 maj për zgjedhjet vendore 2027. Caktimi i datës së zgjedhjeve erdhi pas konsultimeve të zhvilluara gjatë paradites me përfaqësuesit e partive politike. Në takime morën pjesë vetëm Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate. Ishte pikërisht PSD që propozoi datën 9 maj, ndërsa socialistët deklaruarn se ishin dakord me çdo datë përveçse 2 Majit, pasi përkon me Pashkët Ortodokse. Ndërkohë, partitë opozitare e refuzuan ftesën e presidentit, duke i cilësuar konsultimet formale./ZËRI