DUBLIN- Kryeministri Edi Rama është takuar në Dublin me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Takimi mes dy lidervë vjen në kuadër të punimeve të Samitit të 9-të të Komunitetit Politik Europian (EPC). Në pamjet e publikuara, shihen dy liderët duke biseduar së bashku në një tavolinë, ndërsa pranë tyre ndodhet edhe një person i tretë.
Çështjet që lidhen me sigurinë energjitike dhe luftën në Ukrainë, janë të planifikuara në axhendën e takimit të liderëve europianë. Ndërkohë, më herët, në një komunikim për mediat nga kryeqyteti irlandez, kryeministri Rama kritikoi qasjen e deritanishme të Bashkimit Evropian ndaj luftës. Sipas Ramës, Evropa ka gabuar që nuk ka mbajtur të hapur një kanal komunikimi me Moskën, paralelisht me ndihmën ushtarake për Kievin.
“Pyetja nuk është se kujt mund t’i besojmë. Pyetja është çfarë është në interesin tonë më të mirë si komunitet evropian. Unë besoj se është bërë një gabim shumë i madh që diplomacia ju është lënë në dorë, ju është jashtëkontraktuar të tjerëve dhe ka një përqendrim vetëm për mbështetje ushtarake për Ukrainën, që është gjëja e duhur për t’u bërë, pa mbajtur të hapur një kanal bisedimi me Rusinë. Na pëlqen apo jo, Rusia nuk do të shkojë asgjëkundi, do të vazhdojë të qëndrojë aty. Dhe e ardhmja e kontinenti është një e ardhme e përbashkët për të cilën duhet të punojmë duke shfrytëzuar të gjitha mjetet. Ndërkohë që mbështesim gjatë tërë kohës Ukrainën, na duhet të bisedojmë”, është shprehur Rama./ZËRI