VLORË- Prefektura e Qarkut Vlorë ka kthyer për rishqyrtim buxhetin e Bashkisë Vlorë për vitin 2027. Shkak për këtë vendim është bërë koha kur është miratuar buxheti vendor, përpara miratimit të buxhetit të shtetit për vitin 2027. Sipas njoftimit zyrtar, shkak për këtë është bërë koha e miratimit, pasi u miratua nga Këshilli Bashkiak përpara miratimit të buxhetit të shtetit për të njëjtin vit.
Përmes një shkrese zyrtare, Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi sqaron se kthimi për rishikim lidhet me procedurën dhe afatin e miratimit të tij. Tashmë, pritet njoftimi i Kryesisë së Këshillit Bashkiak ku do të shqyrtohet vendimi dhe do të ndiqen procedurat për miratimin e buxhetit.
“Buxheti i Bashkisë Vlorë për vitin 2027 rrëzohet nga Prefektura për shkelje ligjore! Më datë 16 nëntor u zhvillua mbledhja e Këshillit Bashkiak Vlorë, ku me votat e Partisë së Rilindjes u votua dhe miratua buxheti për vitin 2027.
Pas 6 orësh diskutimesh dhe këmbënguljes së këshilltarëve të opozitës, të cilët ngritën pretendime konkrete për shkelje procedurale dhe ligjore në hartimin dhe miratimin e këtij buxheti, ai u miratua nga shumica.
Më datë 17 nëntor, nënkryetari i Këshillit Bashkiak dhe tre kryetarët e grupeve që përfaqësojnë 17 këshilltarë të opozitës, i drejtuan një shkresë zyrtare Prefekturës, duke paraqitur argumentet ligjore dhe kërkesën për të mos konfirmuar ligjshmërinë e këtij vendimi. Sot, Prefektura i ka përcjellë Bashkisë Vlorë shkresën zyrtare, duke mos e konfirmuar ligjshmërinë e buxhetit të miratuar.
Në ditët në vijim pritet njoftimi nga Kryesia e Këshillit Bashkiak për thirrjen e mbledhjes së radhës, ku do të duhet të shqyrtohet dhe të ndiqet procedura për një miratim të ri të buxhetit. Kjo është arsyeja pse transparenca, respektimi i ligjit dhe përgjegjësia institucionale nuk mund të anashkalohen”, thuhet në njoftimin e këshilltarit Gjergj Nika.
Kthimi i buxhetit për rishqyrtim vjen pas ankesës së 17 këshilltarëve të opozitës, të cilët kundërshtuan procedurën e ndjekur për hartimin dhe miratimin e tij, duke pretenduar shkelje ligjore. Buxheti i vitit 2027 u miratua më 16 nëntor, me votat e shumicës, gjatë një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak që zgjati rreth gjashtë orë. Gjatë kësaj mbledhjeje, këshilltarët e opozitës kërkuan që Prefektura të mos konfirmonte ligjshmërinë e tij. Një ditë më pas, më 17 nëntor, nënkryetari i Këshillit Bashkiak dhe tre kryetarët e grupeve të opozitës, iu drejtuan zyrtarisht Prefekturës së Vlorës./ZËRI