Politikë

“Turp, turp, turp”, protestuesit përplasen me Braçen për ‘betonizimin e Divjakës’

Erion Braçe u akuzua nga aktivistët se po ndihmon në betonizimin e Divjakës

E.K
“Turp, turp, turp”, protestuesit përplasen me Braçen
Erion Brace

TIRANË- Qytetarë dhe aktivistë që po protestonin kundër kalimit të ligjit për Zonat e Mbrojtura që i hap rrugën ndërtimeve, janë përplasur me deputetin socialist Erion Braçe.

Ata i janë drejtuar deputetit të PS duke i thënë se duhej t’i vinte turp që votoi për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, ndërsa ai u është kthyer duke u thënë se ‘kanë marrë me vete hajdutin e kohës së Saliut’.

“Turp, turp, Erion Braçe e votove ligjin? Turp!”, dëgjohen protestuesit duke iu drejtuar deputetit Erion Braçe.

“Paskeni marrë dhe atë hajdutin e kohës së Saliut me vete? Se ai e ka mbrojtur Divjakën, ai hajduti i Saliut, e keni aty!”, tha Braçe, ndërsa u largua nga ambientet e Kuvendit. Kalimi i ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura u prit me kritika të forta nga aktivistë, por edhe përfaqësuesit e opozitës në Kuvend.

Ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura

Ndryshimi i ligjit “Për Zonat e Mbrojtura” i jep atribute Këshillit Kombëtar të Territorit që të vendosë për shfrytëzimin e këtyre zonave në varësi të lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit, duke i hapur ligjërisht rrugën investimeve strategjike brenda tyre.

Propozimet kryesore për ndryshimin e ligjit të vitit 2017, që vendos kufizime të shumta për veprimtaritë brenda Zonave të Mbrojtura, vjen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës si dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë propozon që projektet strategjike brenda zonave të mbrojtura të përfshihen mes aktiviteteve të lejuara. Agjencia e Zhvillimit të Territorit propozon gjithashtu që  të jetë pikërisht KKT-ja e drejtuar nga kryeministri Edi Rama që të shpallë zonat e mbrojtura, ”si organi më i lartë vendimmarrës i planifikimit dhe zhvillimit të territorit dhe që ka në përbërjen e vet pjesën më të madhe të anëtareve të Këshillit të Ministrave”./ZËRI 

Poll

MOS HUMB