
TIRANË- Me 74 vota pro, socialistët kanë miratuar të vetëm në Kuvend ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura që i hap rrugën ndërtimeve. Pavarësisht vërejtjeve që kishte pasur ky ligj nga aktivistë, opozita, por edhe ambasadori i BE në vendin tonë, kjo nuk i pengoi socialistët që të ngrinin në rresht kartonat, edhe pse ndonjë prej tyre, si Pandeli Majko kishte pasur rezerva në fazën e diskutimeve në grupe.
Kalimi i ndryshimeve në ligj u prit me kritika dhe nga deputetet e opozitës Jorida Tabaku dhe Ina Zhupa.
“Nëse flasim për parlamentin e kapur dhe shkeljen e procedurës, ky është shembulli më i mirë. Kam kohë që përpiqem që betejën ta bëjmë në institucione, por në kushte kur dhe deputetë të PS, vota e tyre nuk ka vlerë…. me këtë ligj qeveria tregoi se nuk njeh asnjë limit dhe votuan një ligj që janë 14 vendime për investime strategjike brenda zonave të mbrojtura”, u shpreh Tabaku, ndërsa Zhupa tha se do të tentojnë me çdo kusht që ligji të mos dekretohet dhe të mos hyjë ne fuqi.
“Kjo seanca ka nisur me një protestë të shoqërisë civile, ka shprehur kundërshtimin edhe në komisionet online. Sot kaloi një ligj shkatërrim i zonave të mbrotjura, ligj klientelist i bërë për oligarkë pranë Ramës. Ligji heq mbrojtjen e këtyre zonave dhe i bën sheshe ndërtimi.
Grupi i PD ka qenë kundër dhe do bëjmë cdo përpjekje për ta ndalur që nga Presidenti e deri tek Kushtetuesja. BE ka reaguar sepse ligji është në kundërshtim me marrëveshjen e stabilizim asociimit dhe konventave ku është pjesë Shqipëria”, u shpreh Zhupa në mbyllje të seancës./ZËRI