TIRANË- Me 77 vota pro, Kuvendi ka miratuar marrëveshjen për emigrantët me Italinë, ku PDIU bashkoi votat e saj me Partinë Socialiste. Pavarësisht zhurmuesve të opozitës, në më pak se 10 minuta, socialistët miratuan të gjitha projektligjet që ishin pjesë e rendit të ditës.
Deputetja e PDIU, Mesila Doda, dha dhe arsyet pse PDIU sipas saj dha votat për marrëveshjen me Italinë.
“Ishim pro marrëveshjes. Bëhet fjalë për një shtet mik, një shtet fqinj, që është në një moment krize. Ne mund të ndihmojmë për një problematike të tyre, dhe duhet të jemi në krah të tyre. Nuk bëhet fjalë të mbështesim individë që mund të jete Fredi Beleri, por një shtet mik”, u shpreh Doda në përfundim të seancës, që zgjati më pak se 20 minuta.
Ndërkohë vetëm me 74 votat e socialistëve, kaloi sot në Kuvend dhe ligji për zonat e mbrojtura, i cili ndryshon duke i hapur rrugën ndërtimeve. Disa qytetarë protestuan në hyrje të Kuvendit, por pa efekt, pasi socialistët e kishin marrë tashmë vendimin për kalimin e këtyre ndryshimeve, edhe pse vetë ambasadori i BE në vendin tonë kishte kërkuar shtrimin e këtij projektligji për diskutim publik.
/ZËRI