Politikë

Sot seanca për Berishën, ish-kryeministri e lë pezull pjesëmarrjen

Sali Berisha akuzohet nga SPAK për korrupsion, pasi sipas prokurorisë gjatë kohës kur ai ka qenë kryeminisër ka favorizuar ish-dhëndrin për marrjen e pronave, duke privatizuar ish-kompleksin Partizani, i cili ka qenë në listën e pronave të Ministrisë së Mbrojtjes.

Zeri
Sot seanca për Berishën, ish-kryeministri e lë pezull
Sali Berisha

TIRANË- Në ambientet e GJKKO-së sot në orën 14:00 pritet që të mbahet seanca në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili duket se deri në momentet e fundit do ta lërë pezull nëse do të jetë apo jo i pranishëm. Me gjasa jo!

Kjo, sepse Berisha e konsideron shkelje vendimin e GJKKO për të lëshuar masë sigurie ndaj tij, pa marrë më parë miratimin e Parlamentit, duke interpretuar kështu një prej neneve të Kushtetutës që deputetin e mbulon me imunitet. Por sipas prokurorëve të SPAK kjo nuk është e nevojshme, pasi Berishës nuk i është vënë ndonjë masë arresti.

Berisha ka zgjedhur si avokat mbrojtës Genc Gjokutajn, i cili gjatë ditës së djeshme në seancën që u mbajt në GJKKO për Malltezin dhe Bektashin u përplas me ish-kreun e SPAK Arben Kraja. Shkak ishte moslejimi i pjëmarrjes së avokatit në seancë, pasi Berisha do të kishte një seancë më vete, që do të mbahet pikërisht sot.

Berisha pretendon se nuk ka marrë dijeni për seancën e ditës së sotme, edhe pse oficerët e policisë mbërritën që të shtunën në selinë e PD-së, dhe lideri i demokratëve vendosi që të mos i priste, Gjithashtu në banesën e Berishës OPGJ-të kanë shkuar dy herë, edhe pse nuk kanë pasur komunikim direkt me ish-kryeministrin.

Gjatë ditës së djeshme, fillimisht në një konferencë, dhe më pas në disa intervista televizive, Berisha ka sqaruar pozicionin e dhëndrit të tij, duke thënë se Jamarbër Malltezi është futur si investitor me tokë, dhe nga ana tjetër akuzoi SPAK-un se po fsheh provat dhe dokumentet.

Berisha u ndal edhe tek historia e privatizimit te kompleksit Partizani, proces ky që sipas tij është nisur nga qeveria e Fatos Nanos. Ai tha se ndryshimi i destinacionit dhe kthimi në zonë urbane është bërë nga Edi Rama, ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Sali Berisha akuzohet nga SPAK për korrupsion, pasi sipas prokurorisë gjatë kohës kur ai ka qenë kryeminisër ka favorizuar ish-dhëndrin për marrjen e pronave, duke privatizuar ish-kompleksin Partizani, i cili ka qenë në listën e pronave të Ministrisë së Mbrojtjes./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB