
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka paralajmëruar këtë të hënë se do të luftojë deri në fund as i përket akuzës që Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritir ndaj tij, atë të "Korrupsionit pasiv". Në një intervistë për "Syri", Berisha deklaroi se do e dërgojë çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut. Deklaratën Berisha e bëri i ftuar në 'Syri Tv".
Sali Berisha: Sot nuk është vetëm SKAP. Është një sistem, ka një Konventë Europiane të të Drejtave të Njeriut. Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut ju njeh të gjithë qytetarëve shqiptarë të drejtën e drejtimit në Strasburg. Ka një gjykim publik pastaj për të gjitha gjërat dhe publiku është një gjykatë në vetvete. Është gjykata e ligjit, por është dhe publiku, është Strasburgu. Do të luftohet për të vërtetën deri në fund.
Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha është arrestuar dy ditë më parë në aeroportin e Rinasit pasi akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash” në lidhje me dosjen “Partizani”. Sipas akuzës, Malltezi ka shfrytëzuar postin e vjehrrit të tij, Sali Berisha, atëherë kryeministër për të marrë pronat në ish-kompleksin sportiv “Partizani”. Ndërkohë pas vendimit për arrestimin e tij, GJKKO ka vendosur sekuestro preventive për disa pasuri në emrin e tij, mes tyre dhe vila në zonën e Gjirirt të Lalzit.
Nën hetim për këtë dosje janë dhe kreu i PD-së Sali Berisha dhe biznesmeni Fatmir Bektashi. Të dy nën masën e sigurisë të “Detyrimit të paraqitjes”. Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes por kaloi në "duart" e dhëndrit Jamarbër Malltezi. Ky i fundit si trashëgimtar i 140 m2 tokë, arriti të merrte 35 % të sipërfaqes falë një marrëveshje suksesi me trashëgimtarët e tjerë. Si përfundim, qendra më të madhe sportive, me përmasa 26.000 metra katrorë, u pagua vetëm 14.000 euro./Zëri.ai