Politikë

Berisha tregon si e priti arrestimin e dhëndrit: E kisha kuptuar, më bënin presion me gazetarë

Lideri demokrat tregoi se nuk i ka bërë përshtypje kur ka marrë vesh lajmin.

E.K
Berisha tregon si e priti arrestimin e dhëndrit: E kisha kuptuar, më
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka rrëfyer se si e ka pritur arrestimin e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi nga Prokuroria e Posaçme. Lideri demokrat gjatë një interviste në 'Euronews", tregoi se nuk i ka bërë përshtypje kur ka marrë vesh lajmin. Sipas tij, gjithçka e kishte kuptuar kur i bënin preson me gazetarë, por nuk ka përmendur emra. 

Sali Berisha: E mora vesh, më njoftuan. Këta kishin shumë kohë, duke mos pasur asnjë fakt, dokument, nuk e kishin shpallur person nën hetim dhe tani që e kanë arrestuar s’e kanë arrestuar si të akuzuar për vepër penale, e kanë arrestuar si person nën hetim. Dhe çfarë bënin këta? Herë pas here për të më bërë presion mua thërrisnin gazetarë të paguar prej tyre dhe ju thoshin që Abi Malltezi do të arrestohet. Keni gati mandatin e arrestit, por këto s’më bënë mua asnjë përshtypje, sikundër s’më bëri as ajo që mora vesh.

Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha është arrestuar dy ditë më parë në aeroportin e Rinasit pasi akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash” në lidhje me dosjen “Partizani”. Sipas akuzës, Malltezi ka shfrytëzuar postin e vjehrrit të tij, Sali Berisha, atëherë kryeministër për të marrë pronat në ish-kompleksin sportiv “Partizani”. Ndërkohë pas vendimit për arrestimin e tij, GJKKO ka vendosur sekuestro preventive për disa pasuri në emrin e tij, mes tyre dhe vila në zonën e Gjirirt të Lalzit.

Nën hetim për këtë dosje janë dhe kreu i PD-së Sali Berisha dhe biznesmeni Fatmir Bektashi. Të dy nën masën e sigurisë të “Detyrimit të paraqitjes”. Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes por kaloi në "duart" e dhëndrit Jamarbër Malltezi. Ky i fundit si trashëgimtar i 140 m2 tokë, arriti të merrte 35 % të sipërfaqes falë një marrëveshje suksesi me trashëgimtarët e tjerë. Si përfundim, qendra më të madhe sportive, me përmasa 26.000 metra katrorë, u pagua vetëm 14.000 euro./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB