Politikë

E shtuna "e zezë" për familjen Berisha, KRONOLOGJIA e përballjes me SPAK

"Zëri.ai" sjell për lexuesit, me disa pika, të gjithë përmbajtjen e dosjes prej 200 faqesh dhe të gjitha reagimet që kanë ardhur më pas.

k.m.
E shtuna "e zezë" për familjen Berisha, KRONOLOGJIA e
Familja Berisha

TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka 'peshkuar' ish-kryeministrin Sali Berisha. "Zëri.ai" sjell për lexuesit, me disa pika, të gjithë përmbajtjen e dosjes prej 200 faqesh dhe të gjitha reagimet që kanë ardhur më pas. Ja çfarë dimë ne deri më tani:

➤ Të shtunën, rreth orës 18.00, Jamarbër Malltezi kishte shkuar në aeroportin e Rinasit për të pritur bashkëshorten e tij, Argita teksa kthehej nga Gjermania.

➤ 4 efektivë të Policisë së Shtetit, të gjithë të veshur si civilë, i kanë vendosur prangat në duar dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

➤ U zbulua se bëhej fjalë për çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv "Partizani".

➤ Shumë pak minuta më pas, nga SPAK doli lajmi se një "fletë" ishte prerë edhe për Berishën. Për të, për shkak të moshës, edhe pse i akuzuar për korrupsion pasiv, ndaj Berishës nuk është kërkuar masa e arrestit me burg, apo arrest shtëpie. Ai ka masën e sigurisë "detyrim paraqitje" dhe po ashtu i ndalohet dalja nga Shqipëria.

➤ Me të dalë lajmi, Berisha lajmëroi një konferencë për shtyp nga selia blu. 21.00 shënonte ora dhe kryedemokrati doli para mediave dhe qytetarëve për të dhënë versionin e tij.

➤ Në fjalën e tij, Berisha tha se e privatizimi i klubit "Partizani" ishte një e drejtë e dhëndrit të tij si ish-pronar. Gishtin e drejtoi nga kryeministri Edi Rama. Fillimisht tha se  ishte pikërisht Rama, ai që ka firmosur për të privatizuar kompleksin Partizani. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës për mediat në selinë blu, deklaroi se e gjitha ishte një inskenim i SPAK, ose siç e quan ai SKAP, me urdhër të Ramës. E po ashtu, theksoi se Malltezi nuk është thirrur asnjëherë nga asnjë prokuror apo gjykatës.

➤ A do dalë para drejtësisë? Kësaj pyetje, Berisha i është përgjigjur se SPAK po shkel Kushtetutën duke i kufizuar lirinë një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë. ➤ Autorizim sipas tij nuk është marrë, ndaj dhe vendimin e marrë ndaj tij e quan 'nul'.

➤ E diela, nis me zbardhjen e dosjes.

➤ SPAK mori të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe bashkëshortin e vajzës së tij Jamarbër Malltezi nën akuzën e korrupsionit pasiv, duke akuzuar se kanë përfituar 5.4 milionë euro përmes përdorimit të funksionit publik të ish-kryeministrit, para të dhëna nga biznesmeni Fatmir Bektashi, i cili u mor i pandehur për pastrim parash. Fatmir Bektashi u mor i pandehur për pastrim parash, ndërsa Berisha për "korrupsion pasiv". Pronarët e tokës arritën një marrëveshje zhvillimi me Homeplan Shpk, një kompani e themeluar në vitin 2008 nga Fatmir Bektashi, i cili gjithashtu zotëronte një pjesë të tokës si trashëgimtar. Kompania mori leje ndërtimi në vitet në vijim, me Bektashin të listuar ligjërisht si pronar i vetëm. Por sipas Prokurorisë, edhe Malltezi ka përfituar aksione nga kompania që ka ndërtuar 17 kulla në zonën e ish-kompleksit pa investuar asgjë. Kjo ngre dyshime se aksionet janë dhënë nga Bektashi në shkëmbim të veprimeve shtetërore të ndërmarra nga Berisha në favor të kompanisë së tij.

➤ Sipas dosjes, Berisha ka ushtruar preson tek vartësit e tij, që në ndryshonin ligjet për privatizimin e pronave. Në pyetje ishin marrë edhe disa ish-ministra të kabinetit të Berishës. Ndër to përmendim: Genc Rulin; Fatmir Mediun, Gazmend Oketën. Po ashtu janë marrë në pyetje edhe zyrtarë të tjerë.

➤ E diela u mbyll vakët. Me një reagim periferik të kryedemokratit Lulzim Basha që pa përmendur emra kërkoi që të korruptuarit të dilnin para drejtësisë.

➤ E hëna nis me vrull!

➤ Nisën reagimet nga selia blu. ➤ Të gjithë njëzëri thanë se: SPAK është bërë vegël e politikës së Ramës. Edhe Gazment Bardhi, dikur një prej kundërshtarëve më të fortë të Berishës mbajti të njëjtin qëndrim. Vetëm se shtoi se nëse SPAK do të kishte shkuar më parë në Kuvend, ai do të kishte votuar "pro" për ndjekjen e hetimeve edhe për deputetin Berisha. Edhe aleati i Berishës, ish-presidenti Ilir Meta, sulmoi organet e drejtësisë se po përdoreshin politikisht nga kryeministri Edi Rama. Por për çudti, heshtja ka kapluar selinë e Partisë Socialiste. Edhe pse u kontaktua nga Zëri.ai, denoncuesi i çështjes, Taulant Balla ende nuk ka dhënë asnjë koment.

➤ Ora 12.00, Berisha del sërish në konferencë për shtyp.

➤ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën dhe ‘larot e tij skapistë’ siç i cilësoi ai prokurorët e SPAK për krijimin e një dosje pa fakte, por që është thjeshtë një fletërrufe. Ai theksoi se nuk ka bërë asnjë ligj, apo vendim për të favorizuar ndonjë njeri, e aq më pak dhëndërin e tij. Aktin e cilësoi si hakmarrje politke. Berisha akuzoi Edi Ramën, se hakmarrja ndaj Argita Malltezit (vajza e tij) vjen i ka përmendur skandalin e tenderave të thjeshtrës (Rea Xhillari, vajza e Linda Ramës nga martesa e parë)!

➤ Ora 13.30, Jamarbër Malltezi shkoi në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pas tij, hyri edhe Fatmir Bektashi. Seanca ende vazhdon.

➤ Oficerët e Policisë Gjyqësore në Tiranë kanë mësyrë gjithashtu edhe në banesën e ish-kryeministrit Sali Berisha. Agjentët kërkojnë të njohin Berishën me masën e sigurisë "detyrim paraqitje", por ish-kryeministri më herët nuk i ka pritur ata duke pretenduar se vendimi është i jashtëligjshëm pasi ai mban mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.

➤ Në këto kushte, Sali Berisha, një nga personazhet më të pushtetshëm të politikës shqiptare që nga krijimi i shtetit, do të dalë nesër para GJKKO-së. Orari është lënë në 14.00, por a do të shkojë?!/Zëri.ai

Poll

MOS HUMB