
TIRANË- Një vit përpara zgjedhjeve parlamentare, Reforma Zgjedhore mbetet një nga pikat kyçe që kërkon bashkëpunimin e mazhorancës me opozitën për realizimin e saj. Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Edi Rama tha se Reforma Zgjedhore mund të bëhet dhe pa dakordësinë e opozitës, dhe pa ngritjen e një komisioni parlamentar, megjithatë për kalimin në Kuvend janë të nevojshme 84 vota, që socialistët nuk i kanë.
E udhës për arritjen e këtyre shifrave do të ishte një bashkëpunim me një prej fraksioneve të opozitës. Më të gatshëm për të vendosur kushte duket se kanë qenë deputetët e grupimit të Bashës, të cilët në një deklaratë për mediat nga ana e Kreshnik Çollakut vendosën dhe prioritetet e tyre.
“Përtej zhurmës logorike pa asnjë thelb të vërtetë politik, jetike për interesin e Opozitës dhe të shqiptarëve është që Parlamenti ti japë përgjigje tre prioriteteve madhore që mundësojnë ndryshimin e madh që kërkon çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi: Listat e hapura, Vota e Diasporës, Vetingu politik”, deklari Çollaku, ndërsa shtoi më tej: “Çdo shfaqje e potershme në Parlament që nuk ballafaqon këto prioritete është tradhti ndaj interesit publik dhe dëm që i bëhet vendit. Nëse Rama me socialistët dhe Berisha me rithemelimin, do ta vazhdojnë lojën e tyre në Parlament, nga sot ka vetëm një arsye. Asnjëra nga këto palë nuk janë të interesuara për lista të hapura, votë të emigrantëve dhe veting të politikës, dhe interesi i vetëm është zgjatja e agonisë dhe statuquosë së moçalit politik 30-vjeçar në Shqipëri”.
Kjo ‘ringjallje’ e grupimit të Lulzim Bashës vjen në një kohë kur brenda opozitës po bëhen përpjekjet për krijimin e një federate që do të sillte bashkimin e të gjitha grupimeve.
Edhe pse një gjë e tillë duket të jetë e vështirë, me Rithemelimin që kërkon që Basha të lihet jashtë, edhe pse dhe në radhët e atyre vetë ka pasur paqartësi. Fillimisht Luçiano Boçi dha një ftesë për Bashën, e cila u mohua të nesërmen nga ana e Flamur Nokës. Për të folur mbi të gjitha këto zhvillime, vetë Lulzim Basha ka vendosur që të thyejë heshtjen, dhe të flasë përpara gazetarëve. Ai ka paralajmëruar një konferencë me gazetarët gjatë orës 18:00 të pasdites./ZËRI