
TIRANË- "Shhh se po fle,"-kështu e ironizoi kryeministri Edi Rama, Lulzim Bashën kur u pyet nëse do të bashkonte votat me të në seancat e ardhshme plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Komentin për Bashën, Rama e bëri në fund të një konference për shtyp me gazetarët, pas një mbledhje informale të qeverisë dhe bashkëpunëtorëve, e cila zgjati 2 ditë. Por 'ironia' e kryeministrit, nuk i ka ngjitur Bashës, i cili reagoi, por jo vetë.
Zyra e shtypit të Partisë Demokratike (të vulës) ka reaguar duke i cilësuar batutat e kryeministrit "shfaqje mediatike". Madje pretendojnë se pas batutave dhe humorit të Ramës fshihet frika nga drejtësia.
REAGIMI I ZËDHËNËSES TË PARTISË DEMOKRATIKE:
Njerëzit presin zgjidhje për hallet dhe problemet e tyre nga kryeministri, por ai nga njëri resort në tjetrin u ofron vetëm shfaqe bajate. Sillet si pronar i Shqipërisë, ndërsa çdo ditë shqiptarët marrin rrugët e emigrimit. Edi Rama do të hyjë në historinë e shtetit shqiptar si kryeministri që më shumë ministra dhe bashkëpunëtorë i ka brenda në burg se sa jashtë tij, prandaj për Edi Ramën kush nuk vjedh fle gjumë. Nuk mund të ketë një qeveri të korruptuar dhe një kryeministër të ndershëm, prandaj për Edi Ramën, kush nuk bëhet mburojë e korrupsionit është i paaftë. Edi Rama ka hyrë në historinë e Shqipërisë si njeriu që kriminalizoi shtetin, prandaj për të, kush nuk është aleat me krimin në vjedhjen e zgjedhjeve, nuk bën për politikë. Pas humorit dhe batutës së Ramës, fshihet frika nga drejtësia, që po ngushton lakun dhe, herët a vonë, do t’i shkojë çështjes së inceneratorëve dhe aferave të tjera korruptive deri në fund. Edi Ramën nuk e shpëton dot më as aleati i tij i kullave, as propaganda që i bëhet nga mediat që paguan me paratë e krimit dhe korrupsionit qe i ushqen.
Pas kundërpërgjigjes së Bashës, kreu i qeverisë duket se e ka lënë me kaq, pasi deri më tani, e ka lënë pa përgjigje./ZËRI