
HIMARË- Vangjel Tavo do të jetë kryebashkiaku i Himarës për 3 vitet e mbetura, deri në zgjedhjet e ardhshme lokale. Një post që nuk e ka mbajtur kurrë deri më tani, pavarësisht karrierës së tij prej gati 3 dekadash në politikë. Prej kohësh "pushim" nga politika, Tavo është rikthyer edhe njëherë si një faktor i rëndësishëm për socialistët, të cilëve do t'u shërbejë edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por kush është Vangjel Tavo?
ZËRI ka përgatitur një profil të shkurtër për të në politikë dhe jo vetëm...
Tavo ka lindur në një fshat afër Gjirokastrës, më 17 dhjetor 1969 dhe zona e tij elektorale më mbështetëse në votime njihet ajo e Dropullit. Në aspektin profesional, Tavo ka mbaruar me rezultate të larta në degën e Mjekësisë, kurse më pas u specializua për Gjinekologji. Angazhimi i tij i parë në politikë ishte me Partinë Socialiste që prej vitit 1996 në Gjirokastër krahas kryesocialistit Fatos Nano, por u largua së bashku me Ilir Metën kur u krijua Lëvizja Socialiste për Integrim.
Me LSI, jo vetëm mori mandat deputeti, por gjatë viteve 2012-2013 Tavo shërbeu edhe si Ministër i Shëndetësisë, duke zëvendësuar Petrit Vasilin. Edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe 2017, Tavo u zgjodh deputet në qarkun e Gjirokastrës. Ai kandidoi edhe më 25 prill 2021, por nuk mundi të fitonte mandatin si deputet. LSI-në, zyrtarisht e la në vitin 2022, kur edhe u zëvendësua nga Krenar Kulla si drejtues politik i qarkut. Megjithatë ka qenë tejet aktiv në zonën e tij elektorale. Që nga angazhimi i tij në politikë, ai ka pasur një influencë të njohur mes minoritetit grek, sidomos në fshatrat e Gjirokastrës. Madje herën e fundit, ai doli publikisht kundër vrasjes së ekstremistit grek në Bularat, ku mori pjesë edhe në varrimin e tij.

Madje, më 29 tetor, Vangjel Tavo akuzoi policinë shqiptare për vrasjen e ekstremistit Kostandinos Kaçifas, duke thënë se ai nuk donte të vriste askënd, por ishte duke mbrojtur kauzën si misionar i interesit të kombit të tij (grek).
"Po, po e besoj dhe e kuptoj dhimbjen! Nese do të donte ta bënte, do ta kishte bërë. Kaçifas nuk donte të vriste njeri. Nuk di çfarë të them... Të vetmen gjë që dua, të bëj thirrje të vijë trupi i djalit në shtëpi. Sa më shpejt!", u shpreh Tavo. Por, një vit më vonë, në përvjetorin e vrasjes së Kaçifasit, ra në sy edhe mungesa e ish-deputetit të LSI-së, Vangjel Tavo.
PËRPLASJET ME RAMËN

Por edhe pse garoi nën siglën e Partisë Socialiste, kjo nuk do të thotë që Tavo i ka pasur gjithmonë punë "vaj" me kreun e qeverisë. Për gjithë çfarë ka ndodhur janë kujdesur mediat e opozitës që të nxjerrin çdo deklaratë kundër që Tavo ka bërë ndaj Ramës.
Akuzat e Tavos më 27 prill 2021
Vangjel Tavo, i pari në listën e LSI-së në Gjirokastër, reagoi pasi kjo forcë nuk mundi të sigurojë as edhe një mandat në këtë qark në zgjedhjet e 25 prillit. Me një postim në "Facebook", Tavo tha se garoi në kushte të pabarabarta dhe pati blerje votash deri në 500 euro, duke shënjestruar kështu Partinë Socialiste me në krye Edi Ramën.
"Ju kam shërbyer me të gjithë zemër dhe kjo ka qenë kënaqësia më e madhe në jetën time publike. Siç jeni dëshmitarë, kjo betejë që sapo kaloi ishte në kushte tërësisht të pabarabarta. Ky nuk është aspak justifikim, por një fakt dhe një realitet që u pa dhe nga vetë ju. Në këto kushte të pabarabarta rrjedhimisht fitorja elektorale ishte e vështirë për t’u arritur. Flitet për 500 euro, është rritur çmimi. Tashmë lekët e akumuluara nga hashashi vitet e kaluara e kanë bërë të vetën dhe do të harxhohen. Unë u them njerëzve që t’i marrin lekët se të vjedhura janë apo lekë droge, por votat t’i hedhin aty ku mendojnë. Lekët e vjedhura më mirë t’i kenë të varfrit se ata që i kanë,"- denoncoi ai.
Përplasja e prillit 2021
Më 8 prill 2021, gjatë fushatës elektorale, kur Edi Rama përuroi rikonstruksionin e Kishës së Shën Marisë në Dropull, Vangjel Tavo në atë kohë deputet i LSI-së, sulmoi Edi Ramën.
"O i paudhë, o i pamoral, o i padinjitet, o i pafe! Je panikosur për humbjen e pritshme dhe po bredh nëpër varreza, duke gënjyer dhe të vdekurit, por koha e regjimit tënd ka mbaruar,", u shpreh Tavo ndaj Ramës.
Nuk mungoi edhe një koment nga kreu i qeverisë, i cili tha: Vangjo tepsixhiu i baba Likes dhe doktore Monës, kujton se do blejë përsëri vota me zarfe e presione greke në Dropull.
E shumë e shumë përplasje të tjera.
Si nisi të përflitej emri i tij?
E gjithë "loja" u hap nga mediat greke që raportuan se 3 ishin emrat që Rama po i mendonte për Himarën. Mes tyre edhe Vangjel Tavo. Gazeta greke “Kathimerini” i ka kushtuar një artikull çështjes së zgjedhjeve në Himarë. Media helene shkruan se kryeministri shqiptar Edi Rama, pas arrestimit të Jorgo Goros, ka pirë një kafe me ish-deputetin Vangjel Tavo dhe i ka propozuar atij që të bëhet kryebashkiak i Himarës. Tavo nga ana e tij ka thënë se e pranon propozimin, nëse pala greke është dakord. Ai po ashtu i ka sqaruar Ramës se nëse bëhet kryebashkiak i Himarës, nuk do prekë pronat greke.
Në një prononcim për ZËRI, asokohe ish-deputeti Vangjel Tavo e mohoi lajmin duke u shprehur se nuk kishte asnjë informacion lidhur me atë që raportohej.
“Nuk kam asnjë informacion. E kam parë si lajm para ca ditësh nga po e njëjta gazetë dhe e shikoj përsëri sot. Faleminderit”, u shpreh Tavo.

Në mars, Vangjel Tavo është përzgjedhur nga kryeministri Edi Rama si prefekt i qarkut të Vlorës, duke zëvendësuar në këtë post Flamur Mamajn. Një lëvizje kjo jo e panjohur që vetëm sa konfirmoi atë që do të vinte; zyrtarizimin e Tavos si kandidat për zgjedhjet e pjesshme lokale nën siglën e PS-së. Edhe më herët, në zona të “vështira”, Partia Socialiste ka vepruar po njësoj, fillimisht kandidatin e ka caktuar në postin e prefektit dhe më pas, e ka shkarkuar për ta vendosur si kandidat zyrtar. Kështu që kandidimi i tij ishte thjesht çështje formaliteti.

Kandidimin e tij nën siglën e PS, e komentoi edhe Ilir Meta. I pyetur nga gazetarët gjatë një konference për mediat nëse do e shkarkonte Vangjel Tavon nga funksionet e tij në strukturat e Partisë së Lirisë, Meta nuk dha një përgjigje konkrete, por nuk e kurseu ironinë me prefektin e Vlorës.
“E përqafoj mikun tim Tavo. Ka bërë zgjedhjen e tij. Po të më kishte pyetur nuk do ja kisha rekomanduar, do i thoja më mirë prefekt në Tiranë, por ai nuk më pyeti. Për çështje statutore dhe organizimi kemi zotin Rexhep Ballmi. Tavo është prefekt i zotit Rama, unë i uroj suksese në këtë detyrë. Pa ma kërkuar ai unë e bëra ministër, Rama e vlerësoi më shumë e bëri prefekt,”- deklaroi me ironi Ilir Meta.
JETA PERSONALE
Vetëm pak muaj më parë, një aksident tragjik në Maqedoninë e Veriut, i ka marrë jetën vajzës së madhe të Tavos, Evës. Ka qenë vetë ish-deputeti Tavo.Eva Tavo, 24-vjeç humbi jetën në një aksident rrugor të ndodhur në Maqedoninë e Veriut në datën 29 Nëntor. Eva disa vite më parë kishte humbur dhe të ëmën, ndërsa Tavo ka lidhur sërish kurorë dhe është bërë prind sërish i një vajze, me të cilën shkoi në ditën e votimit.

TAVO NË SPAK
"Mallkimi" i zyrtarëve socialistë e ka ndjekur edhe Tavon. Me 4 qershor, ai është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Tavo është marrë në pyetje për rreth një orë nga Prokurorët e Posaçëm. Teksa u pyet nga gazetarët në dalje të SPAK, mbi arsyen që ishte thirrur për t’u marrë në pyetje, Tavo tha se lidhej me një kallëzim të bërë në vitin 2021.
-
Vangjel Tavo përfundon në SPAK: U pyeta si person që kisha dijeni
4 Qershor, 09:59
"Isha si person në dijeni për një kallëzim. U pyeta për një kallëzim që kam bërë në 2021", ka thënë Tavo shkurtimisht për mediat.
Megjithatë pavarësisht gjithçkaje, ai zgjodhi që të rikthehej në politikë, kësaj here larg vendlindjes së tij, Gjirokastrës, por sërish pranë minoritetit grek./ZËRI