
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë edhe sot në konferencë me gazetarët, ku ka folur në lidhje me hetimet e SPAK ndaj tij dhe familjes, ndërkohë që përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të paraqitet dy të hëna në muaj përpara prokurorisë.
“Urdhëri i Gjykatës është i paligjshëm, avokatja që më përfaqësoi mua është fytyra e vërtetë e Edi Ramës”, tha Berisha, i cili u pyet nga gazetarët dhe për dy aksionet e SPAK, sekuestrimin e pasurisë së Pëllumb Gjokës, dhe thirrjen e Dorian Duçkës përpara prokurorëve, për hapjen e dosjes McGonigal. Këtë të fundit nuk pranoi që ta komentonte.
Sa i takon Pëllumb Gjokës, Berisha tha edhe pse kanë kaluar muaj nga arrestimi i tij, SPAK vetëm tani ka vendosur për sekuestrimin e pasurisë së tij.
“Shumë bukur, profesor Arbër Malltezit nuk i gjetën asnjë shkelje dhe i vunë sekuestro brenda orësh, vrasësit Pëllumb Gjoka, mikut të ngushtë të skapistëve kriminelë, u detyruan që ti vendosin sekuestron, që të dini një gjë, regjistrimet e bisedave dhe mesazheve në Encrochat, janë pranuar si prova krimi të mirëfillta në Francë.
Edhe pse kanë kaluar kaq shumë muaj, vetëm dje sekuestruan pasurinë. U janë sekuestruar edhe pronat që kanë vënë kur kanë punuar në OKB. Ato që bëhen nën presion nuk janë pozitive. Malltezit iu sekuestrua gjithçka që kishte, Pëllumb Gjoka ka udhëtime në Itali me Taulant Ballën, nuk ka një… përkundrazi sekuestro u vendos pasi zbrazi të gjitha llogaritë.
Informohem që Pëllumb Gjokës nuk i është sekuestruar investimi strategjik, por pasuri familjare”, u shpreh Berisha.
SPAK njoftoi sot sekuestrimin e tre pasuritë të paluajtshme, me sipërfaqe totale 390 mijë metra katrorë të ndodhur në Pulaj- Plazh, në Velipojë të Shkodrës në pronësi të biznesmenit të arrestuar Pëllumb Gjoka dhe të atit të tij, Kol Gjoka. /Zëri.ai