TIRANË- Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj. Kreu i demokratëve, Sali Berisha do të mbledhë sot në orën 17.00 të gjithë drejtuesit politikë të të gjitha qarqeve të vendit. Në takimin që do të mbahet pasdite, do të diskutohet lidhur me punën në terren për zgjedhje, por edhe për çështjen e Primareve për nxjerrjen e deputetëve të rinj në listat shumëemërore.
Por nuk do të jetë Berisha i vetmi që do të zhvillojë takime, edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi do të mbledhë grupin e deputetëve. Takimi i Bardhit do të mbahet nesër, në orën 14:00.
Ndërkohë nga "kampi" tjetër, kryeministri Edi Rama ka mbledhur po ashtu, drejtuesit politik të qarqeve të Partisë Socialiste në seli. Në fokus të takimit ka qenë diaspora dhe organizimi i votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Kjo pasi nga 11 Janari, shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit do të kenë mundësi të regjistrohen në portalin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të pasur kështu mundësi për të ushtruar të drejtën për të votuar në zgjedhjet e përgjishme, parlamentare. Për të gjithë ata që duan të votojnë, platforma do të rrijë e hapur deri në 6 mars./ZËRI