TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha tha se Prokuroria e Posaçme ka prova nga Shërbimi informativ i Shtetit se Pandeli Majko ishte kapur nga një përgjues i vendosur për të zbuluar "pazaret" e trafikantëve të armëve dhe drogërave, duke blerë vota. Berisha tha se përgjimet janë të ligjshme pavarësisht se është përfshirë një deputet, por regjistrimet kanë vazhduar ku ndaheshin detyrat ku do të bliheshin shtyllat centrifugale që kushtonin 70-80 mijë euro dhe në tendera janë firmosur 500 mijë euro. Po ashtu kryedemokrati hodhi akuza ndaj ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla se ai ka bërë marrëveshje me kriminelët në këmbim të votave.
Çfarë faktesh keni për Taulant Ballën dhe Pandeli Majkon?
“Provat i ka SPAK-u. SHISH ka dërguar ekipe nga Tirana në ndjekje të trafikantëve të armëve dhe drogës, dhe ata kanë vendosur regjistruesit. Dhe aty kanë marrë leje në gjykatë dhe ajo i ka firmosur lejet përkatëse. Në ato tavolina ku qëndronin këta kriminelët është ulur Majko, Ardian Çela i OSHEE-së. Aty ata janë pataksur nga biseda. Përgjimet janë të ligjshme pavarësisht se është përfshirë një deputet, por regjistrimet kanë vazhduar ku ndaheshin detyrat ku do të bliheshin shtyllat centrifugale që kushtonin 70-80 mijë euro dhe në tendera janë firmosur 500 mijë euro.
I ka kërkuar takim drejtueses së SHISH-it dhe kjo nuk i pret. Nuk ishte ngarkuar SHISH-i i Kukësit, pasi mund të implikoheshin dhe janë realizuar nga ekspertët e Tiranës. Dhe tani Pandeliu i thotë SHISH-it a më keni regjistruar apo jo dhe i thotë që i ka SPAK-u, dhe pas kësaj oficeri i SHISH-it është shkarkuar menjëherë. Taulant Balla, kam deklaruar në mënyrë të përsëritur, se ai është një kriminel shumë i rrezikshëm. I gjithë agresiviteti merret pikërisht nga mbështetja politike. Taulant Balla bën marrëveshje, ata i thonë na burgos këta dhe votat i ke. Por për t’i burgosur këta, ërveç angazhimit të tij duhej policia, prokuroria dhe gjykata. Çfarë bëri prokurori Kreshnik Ajazi, vuri të vëllanë të katërtin në listë për deputetë Besjan Ajazin, dhe i arrestoi direkt. Kreshniku ka fshirë regjistrimet ku Balla rezulton i përfshirë në akte kriminale. Dhe këto i kam nga burime të sigurta”, tha Berisha. /ZËRI