TIRANË-Gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, kryetari Sali Berisha ka komentuar sërish hetimin e SPAK ndaj drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, e cila dyshohet se mund të ketë përcjellë informacione të klasifikuara që kanë ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi gjatë kohës kur ai ishte në kërkim.
Berisha nga mbledhja e Kryesisë ka deklaruar se ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni e ka pajisur Ergys Agasin me mjetet më të sofistikuara të përgjimit dhe survejimit. Kreu i PD tha gjithashtu se drejtoresha e shkarkuar e SHISH, Vlora Hyseni ka vjedhur sigurinë kombëtare të vendit.
Sali Berisha: I dyti i është besuar Vlora Hysenit është një drejtor Jurgen Kola, drejtori më i rëndësishëm, me një lokal në Bërzhitë ku këta bënin takimet. Lokal në të cilin Vlora Hyseni dorëzonte sekretet, i dorëzonte mjetet. Ajo kishte pajisur këtë kriminel mafioz me mjetet më të sofistikuara të përgjimit dhe survejimit dhe filmimit. Kishit dëgjuar ju dhe keni dëgjuar se si zyra e tij në bllok, sapo vije këmbën, ishe i regjistruar me zë, figurë dhe me të gjitha. Që të gjitha këto mjete dhe dhuratë e Vlora Hysenit për Ergys Agasin.
Berisha akuzoi Vlora Hysenin se vendosi në dispozicion të grupeve dhe organizatave kriminale, por edhe të armiqve të NATO-s, të dhëna me rëndësi të siguruara nga Shërbimi Informativ Shtetëror.
Sali Berisha: Grupi mafioz i AKSHI-t është grupi mafioz më i rrezikshëm në Evropë sepse ai vendosi me urdhër të Edi Ramës, në kontroll të plotë dhe total, internetin dhe komunikimin me internet për shqiptarët dhe të huajt në territorin e Republikës së Shqipërisë. Një akt i pashembullt. Vendosi të gjitha këto të dhëna në dispozicion të grupeve dhe organizatave kriminale, por edhe të armiqve të NATO-s, armiqve të Shqipërisë dhe armiqve të partnerëve tanë. Njeriu, që përfaqësonte Shqipërinë në partneritetin më të rëndësishëm, më delikat, më serioz, partneritetin me shërbimet e vendeve mike, rezulton se ishte një anëtare e grupeve më të rrezikshme mafioze kriminale. Rezulton se ajo ishte e padenjë për asnjë lloj besimi.
GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra në kuadër të hetimeve të SPAK ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Ish-dretoresha e SHISH është nën hetim për veprat penale që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror ose të shërbimit. Hetimet janë vijim i dosjes së AKSHI-t, ku në fokus është edhe biznesmeni Ergys Agasi.
Në kuadër të hetimit në pranga kanë rënë edhe Fatjon Kalluçi, shef tek laboratori Shkencor i Policisë, si edhe Embro Sulejmani, kryekamerieri i lokalit te rezidenca qeveritare në Durrës, i cili dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit për të fshehur gjurmët e tij në këto ambiente. Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Me urdhër të GJKKO kontrolle u kryen edhe në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda.