TIRANË-Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, kryedemokrati Sali Berisha ka hedhur poshtë mundësinë e një bojkoti të Kuvendit nga opozita. Berisha ka njoftuar se opozita do të vijojë përballjen politike brenda Parlamentit dhe do të përballen aty me kryeministrin Edi Rama.
Sali Berisha: Koha fton sot çdo demokrate e demokrat, të gjithë mbështetësit tanë, të ngrihen në këmbë dhe me të gjitha mjetet demokratike të përballen me këtë regjim. Të dashur miq, sot ne kishim një mbledhje të zgjatur të grupit parlamentar. E vërteta është se, të drejtat themelore kushtetuese të deputetëve shkelmohen dhe nuk respektohen. E vërteta është se, Edi Rama bën gjithçka që PD të privohet nga jeta parlamentare dhe komponenti i saj parlamentar. Mohohen njëra pas tjetrës të drejtat më themelore kushtetuese me një qëllim të vetëm, që roli ynë, funksionet tona si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë të asgjësohen.
Në këtë kuadër, vendimi më i lehtë i kësaj partie do të ishte bojkoti i parlamentit. Por unë kam qenë dhe mbetem i bindur, mbetem thellësisht i bindur se ky do ishte një avantazh për Edi Ramën. Ky do përbënte një avantazh për Edi Ramën, sot i damkosur më shumë se kurrë. Çdo njëri nga ne duhet ta ketë të qartë se ai lufton për ekzistencën e tij dhe e di që nga ajo karrige, për atë nuk ka vend tjetër përveçse në qeli me dhjetëra e dhjetëra vite burg për krimet monstruoze që ka kryer.
E them këtë për ta pasur të qartë secili nga ne se ai është i aftë për gjithçka për të ruajtur pushtetin e tij, për të ruajtur karrierën e tij. Megjithatë, me gjithë këtë situatë shumë të vështirë në parlament, grupi parlamentar do të përshtatet, do të arrijë t’i japë përgjigjet e merituara. Thashë edhe njëherë, ne në parlament jemi në kushte shumë të vështira, por në këto kushte ne duhet t’i japim atij po në parlament përgjigjet më të forta të mundshme që mund t’i japim.