TIRANË- Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri Eric Wendt ka nisur zyrtarisht misionin diplomatik në Tiranë, ndërsa pas dorëzimit të letrave kredenciale dhe takimit me Presidentin Bajram Begaj, të mërkurën pritet të zhvillojë kontaktin e parë me një përfaqësues të qeverisë shqiptare.
Sipas agjendës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Wendt do të takohet të mërkurën në orën 11:30, me ministrin Ferit Hoxha. Takimi do të zhvillohet në ambientet e Ministrisë dhe pritet të jetë kontakti i parë zyrtar i ambasadorit të ri amerikan me drejtuesin e diplomacisë shqiptare.
Ky takim vjen pak ditë pasi Wendt dorëzoi letrat kredenciale te Presidenti Bajram Begaj, duke marrë zyrtarisht detyrën si ambasador i SHBA-së në Shqipëri. Pas ceremonisë, ambasadori zhvilloi edhe një takim kokë më kokë me kreun e shtetit.
Pas takimit me Presidentin, Wendt ka nisur edhe agjendën e tij diplomatike në Tiranë. Ceremonia tradicionale e ngritjes së flamurit amerikan në ambientet e selisë diplomatike shënoi një tjetër moment të nisjes së mandatit të tij.
Ambasada Amerikane e shoqëroi ceremoninë me një reagim në platformën X, ku bëri me dije se “Nis një kapitull i ri në Shqipëri! Roja e Sigurisë detare ngriti flamurin amerikan mbi rezidencën zyrtare teksa Ambasadori Wendt merr detyrën. Nën Presidentin Trump, aleancat tona janë më të fuqishmet kur qëndrojmë së bashku, ndajmë përgjegjësinë dhe ndërtojmë një të ardhme më të begatë e më të sigurt për të dyja kombet tona”, tha Ambasada Amerikane në Tiranë.
Wendt mbërrin në Shqipëri me një karrierë të gjatë në strukturat ushtarake amerikane. Ish-gjenerali amerikan ka shërbyer për më shumë se tri dekada në ushtri dhe ka mbajtur poste të rëndësishme në fushën e operacioneve speciale dhe sigurisë.
Gjatë procesit të emërimit të tij, Wendt ka bërë të ditura edhe disa prej prioriteteve që pritet të shoqërojnë mandatin e tij në Shqipëri. Mes tyre janë forcimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, rritja ekonomike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe goditja e grupeve kriminale transnacionale.
Një tjetër pikë e rëndësishme e misionit të tij pritet të jetë bashkëpunimi në fushën e sigurisë kibernetike dhe me strukturat shqiptare të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit./ZËRI