TIRANË- Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar nisjen e detyrës së ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri, Eric Wendt.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ambasada ka publikuara pamje nga ngritja e flamurit amerikan në rezidencën zyrtare, duke shënuar fillimin e mandatit të tij në vendin tonë.
Në vijim të njoftimit, ambasada thekson rëndësinë e bashkëpunimit dhe aleancës mes dy vendeve, duke shtuar se një kapitull i ri nis mes dy vendeve.
"Një kapitull i ri nis në Shqipëri! Trupa e Marinsave e Shteteve të Bashkuara ngriti flamurin amerikan në rezidencën zyrtare, teksa Ambasadori ëendt nis detyrën e tij. Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, aleancat tona janë më të forta kur qëndrojmë së bashku, ndajmë përgjegjësitë dhe punojmë për një të ardhme më të begatë e më të sigurt për të dy vendet tona.", shkruan Ambasada.
Wendt mbërriti në Shqipëri më 25 shtator, ndërsa një ditë më pas, paraqiti letrat kredenciale te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj në një ceremoni në Pallatin e Brigadave. Presidenti Bajram Begaj pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të SHBA-së në Tiranë, Eric Wendt, duke i uruar suksese në detyrë. Kreu i Shtetit rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kush është Eric Wendt?
Sipas të dhënave të karrierës së tij, Eric P. Wendt është një oficer i lartë i ushtrisë amerikane në pension, me mbi 34 vite shërbim, pjesa më e madhe në forcat speciale “Green Beret”. Ai ka shërbyer gjithashtu si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe në pozicione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.
Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur detyra si koordinator sigurie i SHBA për Autoritetin Izraelito-Palestinez (2017–2019) dhe shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA. Ai është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School. Ai flet disa gjuhë të huaja, përfshirë arabishten dhe koreanishten.
Wendt ishte propozuar më herët edhe për postin e ambasadorit në Katar gjatë mandatit të parë të Donald Trump, por kandidatura e tij nuk u konfirmua nga Senati./ZËRI

